Kërkesa e opozitës për ngritjen e Komisionit Hetimor për Parandalimin e Konfliktit të Interesit për Abuzimet me Fondet Publike është rrëzuar në Konferencën e Kryetarëve.
Mazhoranca ka votuar kundër propozimit të opozitës, ashtu siç bëri disa ditë më parë për kërkesat e opozitës për Komisionet Hetimore për vjedhjen e të dhënave të TIMS dhe koncesionin e sterilizimit.
Mesa duket, “çështja Xhaçka” ka shtyrë Partinë Socialiste të mos e votojë këtë Komision. Bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme, Artan Gaçi, akuzohet se ka përfituar statusin “investitor strategjik” në kohën kur Olta Xhaçka ka qenë në postin e ministres, në konflikt të hapur interesi.
Por jo vetëm kaq, pasi në padinë e depozituar nga Fredi Beleri thuhet se Artan Gaçi ka përfituar në mënyrë të paligjshme edhe tokën 5500 metër katrorë, të cilën e përdori për të përfituar statusin. Dosja e Xhaçkës është në SPAK, ku prokurorët po hetojnë akuzat e ngritura nga kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë.
Ndërkohë, Kuvendi vijon të mbajë peng zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes dhe ish-ministres Olta Xhaçka.
Në fund të muajit janar, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi si antikushtetues dy vendime të Kuvendit për të bllokuar dërgimin në këtë gjykatë të mandatit të deputetes Olta Xhaçka, por 8 muaj më pas këto vendime nuk janë zbatuar ende nga Kuvendi.