Ceno Klosi i PS dhe Silva Hasaj nga PD me qindra vota të pamerituara, anëtari i KAS: Nuk jemi në kushtet e gabimit njerëzor

Procesi i rinumërimit të Fierit po ecën me ritme të shpejta ku deri më tani janë rinumëruar 379 nga 587 në total.

Por ndryshe nga Tirana, në Fier disa kandidatë kanë vota të pamerituara mbi masën 10%. Përmendim këtu Ceno Klosin e PS, i cili ka 888 vota të pamerituara, apo Silva Hasaj e PD, që ka 634 më shumë se sa i takojnë.

Sipas anëtarit të KAS, Ledio Braho këto të dhëna tregojnë se nuk jemi në kushtet e gabimeve njerëzore, por kemi të bëjmë më një përpjekje të grupeve te numërimit për të favorizuar kandidatë të caktuar.

“Si ritëm për rinumërimi Fieri ka ecur më shpejt. Ajo që vihet re është se ka lëvizje të mëdha mes kandidatëve. Lëvizjet brenda partive janë më të mëdha me shifra mbi 700. Kjo është problematika dhe do të bëhet një analizë. Nuk jemi në kushtet e gabimeve njerëzor, por të një veprimtarie të qëllimshme të grupeve të numërimit për të favorizuar një kandidat. Ka pasur një lloj orientimi, duhet parë më tej, duhet parë kush kanë qenë grupet e numërimit për të vijuar me hapin e radhës”, tha mes të tjerash Braho.