Nga Greg Weaver & Andrea Kendall-Taylor “Politico.eu”
Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar prej kohësh pushtimin e Ukrainës si një dështim strategjik për Rusinë. Sekretari i Shtetit Antony Blinken e deklaroi diçka të tillë në qershorin e vitit të kaluar duke theksuar: “Lufta e Putinit kundër Ukrainës ka qenë një dështim strategjik, duke e zvogëluar shumë fuqinë e Rusisë, por edhe interesat dhe ndikimin e saj për vitet në vijim”.
Megjithatë gjatë 2 muajve të fundit, një numër në rritje zyrtarësh perëndimorë kanë paralajmëruar mbi një kërcënim ushtarak rus ndaj vendeve në krahut lindor të NATO-s.
Shefi i shërbimit sekret të Estonisë tha në shkurt: “Rusia ka zgjedhur një rrugë, që është një përplasje afatgjatë me Perëndimin… dhe ndoshta Kremlini po parashikon një konflikt të mundshëm me NATO-n brenda dekadës së ardhshme apo më tej”. Ndërkohë, edhe ministrat danezë dhe gjermanë të mbrojtjes kanë paralajmëruar se Rusia mund ta sulmojë NATO-n brenda një dekade.
Aktualisht, shumë faktorë nuk e motivojnë Rusinë që ta sfidojë hapur NATO-n. Por një skenar mund të cilësohet si një rrugë e besueshme drejt konfliktit. Kjo do të ndodhte nëse Kremlini arrin që të nënvlerësojë vendosmërinë perëndimore dhe më e rëndësishmja të SHBA-së për të luftuar ndaj saj në kushte të caktuara.
Ndër arsyet në rritje që mund ta nxitin Kremlinin të besojë se SHBA-së dhe NATO-s nuk kanë vullnet për të luftuar, më e menjëhershmja është rizgjedhja e mundshme e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Ajo do të ngrinte pikëpyetje serioze mbi angazhimin e Uashingtonit ndaj Evropës.
Sepse gjatë mandatit të tij të parë, Trump vuri hapur në dyshim përfshirjen e Amerikës në NATO dhe kërcënoi të tërhiqej nga aleanca. Dhe deklarata e tij të fundit, që e ftoi Rusinë të sulmojë aleatët që nuk përmbushin angazhimet e tyre për shpenzimet në mbrojtje, tregon se pikëpamjet e tij nuk kanë ndryshuar.
Sigurisht, ka jo pak pikëpyetje nëse Trump mund ta tërheqë vërtet SHBA-në nga aleanca e saj më e vjetër. Megjithatë, edhe vetëm duke vënë në pikëpyetje vullnetin e Uashingtonit për të dalë në mbrojtje të Evropës, do të shkaktohej jo pak dëm. Më pas Kremlini mund të rishikojë llogaritjet e tij në lidhje me besueshmërinë e mbrojtjes kolektive të NATO-s, duke rritur rrezikun e një sfide të drejtpërdrejtë ndaj aleancës.
Por nuk janë vetëm SHBA-të. Edhe ndryshimet politike në Evropë mund të ndikojnë në llogaritjet e Kremlinit për NATO-n. Vitin e kaluar pamë një ringjallje të partive të ekstremit të djathtë në Evropë, dhe shumë prej tyre kanë ndjenja simpatike ndaj Moskës.
Për shembull zgjedhja e kryeministrit Robert Fico në Sllovaki, solli në qeveri një parti që refuzon mbështetjen ushtarake të NATO-s për Ukrainën. Po ashtu, Alternativa për Gjermaninë e ekstremit të djathtë, e cila renditet si partia e dytë më popullore në Gjermani, mban lidhje të ngushta me Kremlinin.
Lidhje të forta me Moskën ka edhe Tubimi Kombëtar partia franceze në opozitë e udhëhequr nga Marine LePenn, e cila gjithashtu po rritet në sondazhe. Pra një rritje e qëndrueshme e mbështetjes politike për të djathtën ekstreme në Evropë, mund ta bindë Moskën se NATO-ja nuk do të arrinte konsensus në lidhje me një përgjigje ndaj agresionit rus.
Por më shqetësues nga të gjitha, do të ishte se si angazhimi i SHBA-së në një konflikt të madh me Kinën do të ndikonte në llogaritjet e presidentit rus Vladimir Putin. Në dhjetorin e vitit të kaluar, presidenti kinez Xi Jinping thuhet se i tha presidentit amerikan Joe Biden se Pekini do të ribashkojë Tajvanin me Kinën kontinentale, edhe pse koha nuk ishte vendosur ende.
Konflikti i SHBA-së me Kinën nuk është i pashmangshëm, por nëse ndodh, Kremlini do të tundohej seriozisht për të përfituar nga rasti, duke gjykuar se Uashingtoni nuk do të kishte as interes politik dhe as burime për t’i ardhur në ndihmë Evropës.
Për më tepër, nëse SHBA-ja detyrohet që t`i kundërpërgjigjet konflikteve më të vogla por ende të rëndësishme me Iranin ose Korenë e Veriut, Kremlini mund të arrijë sërish në një përfundim të ngjashëm. Ajo që e ndërlikon më tej tablonë është prirja e Moskës për marrjen përsipër të rrezikut dhe për llogaritjet e gabuara.
Studimet në shkencat politike, tregojnë se autokratët personalistë si Putini janë më të prirur për të bërë gabime, pjesërisht sepse ata e rrethojnë veten me servilë dhe besnikë të tij. Kremlini e mbivlerësoi jo pak aftësinë e tij për të mposhtur me shpejtësi ushtrinë e Ukrainës, dhe e nënvlerësoi përgjigjen e Perëndimit ndaj pushtimit.
Kështu, sapo Rusia të ripërtërijë forcat e saj konvencionale pasi të pakësohen luftimet në Ukrainë – shumë udhëheqës evropianë mendojnë se Moska mund t’i rindërtojë forcat e saj brenda 2 deri në 5 vjetësh – ajo do të përbëjë përsëri një kërcënim të rëndësishëm për vendet e NATO-s në lindje.
Dhe meqë forcat e NATO-s ka të ngjarë të mbeten konvencionalisht superiore, ajo do të jetë ende e mirë-pozicionuar për të frenuar ose mposhtur këtë kërcënim. Por kjo nuk do të ndodhë vetëm për sa kohë që SHBA-ja mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj aleancës dhe nuk është e përfshirë në një konflikt të madh gjetkë.
Sfida për NATO-n është se aktualisht ajo mbështetet në përforcimin në shkallë të gjerë të SHBA-së për pasjen e një epërsie konvencionale vendimtare ndaj Rusisë. Prandaj, për ta frenuar në mënyrë efektive Putinin nga një sulm oportunist kundër NATO-s nëse SHBA-ja do të përfshihej në një konflikt diku tjetër, aleanca duhet të jetë në gjendje të tregojë në mënyrë të besueshme se do të ruante ende epërsinë konvencionale.
Lajmi i mirë është se forcat amerikane që kërkohen për të arritur një epërsi të tillë në Evropë dhe Azi janë të ndryshme: Ruajtja e epërsisë konvencionale në Azi kërkon kryesisht forca detare dhe ajrore, ndërsa në Evropë kërkohen kryesisht forca ajrore dhe të rënda tokësore.
Gjithsesi, ka një kufizim kryesor operacional në aftësinë e SHBA-së dhe aleatëve të saj për të luftuar dhe fituar në dy fushëbeteja njëkohësisht: logjistika. Lufta në dy fronte kërkon një flotë të madhe strategjike ajrore dhe detare për t’i çuar forcat e nevojshme aty ku duhet, dhe më pas për t’i mbajtur ato në luftime, por edhe për të pasur rezerva të mjaftueshme municionesh konvencionale të avancuara për të ruajtur epërsinë konvencionale.
Ndërkohë, janë të pamjaftueshme për 2 fronte njëkohësisht aftësitë ushtarake amerikane “me densitet të ulët, dhe kërkesë të lartë” – si bombarduesit, mbrojtjet e integruara ajrore dhe raketore, avionët cisternë, aftësitë e inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit dhe aftësitë e luftës kundër nëndetëseve.
Kjo do të thotë se nëse SHBA-ja dhe partnerët e saj nuk munden – ose u mungon vullneti politik – që të ruajnë një epërsi të tillë konvencionale në një konflikt të ri në një front të dytë, frenimi ose mposhtja e një agresionit oportunist do të kërkojë mbështetje më të madhe tek armët bërthamore amerikane për të kundërshtuar epërsinë konvencionale të kundërshtarit në frontin e dytë.
Por ky nuk është funksioni aktual i forcave bërthamore të SHBA-së. Edhe forca që SHBA planifikon aktualisht të angazhojë në terren nuk është e projektuar për të luajtur një rol të tillë. Për më tepër, ndërsa mund të jetë e mundur të kundërshtohet ushtarakisht epërsia konvencionale e Kinës me armë bërthamore, ndaj Rusisë kjo gjë do të ishte problematike.
Avantazhi në rritje i forcës bërthamore të teatrit të Rusisë, do të ishte i vështirë për t’u kapërcyer në një mënyrë që do ta bënte të besueshme një strategji të tillë të SHBA-së.
Për të adresuar këto sfida, SHBA dhe aleatët e saj duhet të ndërtojnë një kuptim të përbashkët të kërcënimit që agresioni oportunist paraqet për NATO-n. Sigurisht, këto janë diskutime të vështira, kryesisht sepse ngjallin frikën e evropianëve se Uashingtoni po kërkon të zvogëlojë angazhimin e tij për mbrojtjen e tyre.
Megjithatë, të gjithë aleatët e NATO-s duhet t’i zhvillojnë këto diskutime. Duke e kuptuar si duhet rrezikun që paraqet agresioni oportunist i Rusisë, SHBA-ja dhe aleatët e saj në NATO duhet të gjejnë konsensusin mbi mënyrën se si të rrisin dhe optimizojnë aftësitë ushtarake të kombeve të shumta anembanë Evropës dhe të rrisin kontributet e SHBA-së në përputhje me rrethanat.
Shënim:Andrea Kendall-Taylor, drejtor i Programit të Sigurisë Transatlantike në “Center for a New American Security”, ish-zëvendësoficer i inteligjencës kombëtare për Rusinë dhe Euroazinë në Këshillin Kombëtar të Inteligjencës. Greg Weaver, ish-zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Shefave të Përbashkët të Shtabit të Ushtrisë Amerikane për Planet dhe Politikat Strategjike.