Caktohet data, më 7 Maj Konklava në Vatikan për zgjedhjen e Papës së ri

Është caktuar data e Konklavës për zgjedhjen e Papës së ri: ajo do të fillojë të mërkurën, më 7 maj. Ndërkohë, të dielën, dhjetëra mijëra besimtarë vazhduan t’i bëjnë homazhe Papa Françeskut në Romë.

Sipas tekstit liturgjik që përcakton rregullat dhe procedurat e asaj që ndodh pas vdekjes së një Pape – Ordo Exsequiarum Romani Pontificis – Konklava fillon midis ditës 15 dhe 20 pas vdekjes, pra midis 5 dhe 10 Majit. Ose midis 6 dhe 11 Majit nëse llogaritet nga dita pas vdekjes. Kongregacioni i pestë i përgjithshëm i kardinalëve ka vendosur datën përfundimtare.

Aktualisht janë 252 kardinalë katolikë, 135 prej të cilëve kanë të drejtë të votojnë për Papën e ri. Të tjerët janë mbi 80 vjeç, që do të thotë se nuk mund të marrin pjesë në zgjedhje, edhe pse mund të bashkohen në debatin se kush duhet të zgjidhet.

Papa Françesku u nda nga jeta mëngjesin e 21 prilit në Romë. Vitet e fundit, Ati i Shenjtë kishte paraqitur problematika shëndetësore. Në Shkurt të këtij viti u shtrua në spital ndërsa në vitin 2023 iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ai do të mbahet mend si Papa i mëshirës dhe i kujdesit. Është “pagëzuar” edhe si “Papa i Paqes” ose i të varfërve për shkak të kujdesit që i kushtonte kësaj shtrese.