“Burracak, hajde po ta mbajti…”, Berisha paralajmëron Ramën: Të presin protesta me mbështetje të fuqishme popullore

Sali Berisha ka paralajmëruar edhe njëherë tjetrër kryeministrin Rama se protestat e opozitës nuk do të ndalen, së bashku me popullin që do t’i mbështesë fuqimisht.

“Asgjë nuk ndryshon kjo, ne kemi nisur betejën në parlament, por e kemi nisur me vendosmërinë më të fortë. Kur kemi nisur betejën në Parlament kemi vetëdije se çfarë kemi marrë përsipër. Nuk ka diskutim se ajo do shoqërohet me një mbështetje të fuqishme popullore. Këto nuk ndalen më, këto protesta nuk ndalen më nga asnjë masë e Edi Ramës. Të bëjë çfarë të dojë, ne do vijojmë. Ne do i përgjigjemi sepse ai ka kaluar çdo vijë të kuqe. Do konsultohemi me Këshillin Kombëtar dhe aleatët për protestat. Protesta ka nisur në parlament, të jeni të bindur që do jetë serioze, javë pas jave”, u shpreh ai.

Në konferencën për gazetarët nga selia e PD, ish-kryeministri tha se Rama e ka kaluar vijën e kuqe, teksa e sfidoi kreun e qeverisë për të votuar amendamentin që u heq imunitetin deputetëve. Sipas tij, Rama është një burracak dhe frikacak, pasi këtë amendament e hodhi poshtë në Parlament në vitin 2012.

“Sali Berisha, garanton çdo qytetar se po mbroj qytetarët, duke mbrojtur kushtetutën. Përndryshe unë shkoj pa asnjë lloj, bile edhe me një projekt të fuqishëm për të zbardhur të vërtetat, aty ku nxihen, pavarësisht është gjykatë, apo prokurori a shesh. Ndaj ftoj, këtë burracak, këtë frikacak që të ketë kurajon që të vijë të votojmë amendamentin, në Kuvend.

Për t’u marrë në pyetjet në prokurori apo gjykatë nuk kam asnjë problem. Aty është një vendim që kufizon lirinë e deputetit. Që unë në parim e kam pranuar, por Edi Rama e hodhi poshtë. Ai në 2012 e hodhi poshtë këtë gjë në parlament. Ndaj bëhu burrë dhe po ta mbajti hajde e votojmë, mos përdor mercenarët që mbajnë peng Kushtetutën në zyrat e shtetit”, shtoi Berisha.