Bullizmi, virusi për të cilin flasim shumë pak

Bullizmi është një fenomen shoqëror që po përhapet ditë pas dite me shpejtësinë e një virusi. Në këtë realitet, do të ishte e drejtë ta quanim edhe bullizmin një virus, për të cilin shoqëria nuk flet dhe aq, por që sërish arrin të prek dhe infektojë.

Atë e ndeshim kudo. Në rrugë, në shkollë, në vendin e punës, madje dhe në internet. Mund të jetë një fjalë, fjali apo veprim. Çdokush mund të preket dhe askush nuk është imun.

Megjithëse ky fenomen mund t’i prekë të gjithëve pa dallim, grupmoshat më të cënuara janë fëmijët dhe adoleshentët. Disa ditë më parë, një 23 vjeçar nga Bolonja u vetëvra live në Tik-Tok para mijëra përdoruesve të rrjetit social, si pasojë e bullizmit që kishte përjetuar online. Vdekja e tij do të shërbente si këmbanë alarmi dhe moment kritik reflektimi për atë çfarë po ndodh me brezin e sotëm.

Sipas CRCA, për vitin 2019, 60% e fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri ishin viktima të bullizmit online. Kjo shifër gjykohet të jetë akoma më e lartë pasi shumë raste të bullizmit ndodhin në mënyrë indirekte dhe shpeshherë anashkalohen duke kaluar në hije. Pse ndodh kjo? Së pari, nuk lidhet vetëm me frikën që mund të ndjejë fëmija apo adoleshenti i bullizuar nga bullisti, por edhe me mënyrën si e trajtojnë këtë fenomen të rriturit. Si një lojë. Veçse bullizmi nuk është një ‘lojë e drejtë’. Në fakt nuk është aspak lojë. Bullizmi është dhunë dhe si i tillë është tërësisht i gabuar.

Ai është një ndër shkaktarët pse shumë fëmijë dhe adoleshentë vuajnë nga çrregullimet e ankthit, stresi, depresioni madje arrijnë deri në vetëvrasje. Ky është realiteti i dhimbshëm dhe njëkohësisht i frikshëm përreth nesh. Një realitet që flet. Disa thjesht nuk e shohin. Disa mund të kenë qenë dëshmitarë. Disa mund ta kenë përjetuar dhe e kanë ndjerë në kurriz peshën dërrmuese të këtij abuzimi. Ndërsa disa të tjerë mund të kenë ushtruar bullizëm mbi dikë tjetër.

Sokrati thoshte: ‘E mira lidhet me dijen, e keqja lidhet me padijen. Edhe krimineli mendon se po bën mirë kur e kryen krimin.’ Nëpërmjet këtij arsyetimi mund të shpjegohet edhe sjellja e një bullisti. Ai mendon se po bën mirë sepse nuk e di se çfarë është e drejtë dhe çfarë jo. Po pse nuk e di ai? Sepse atij në rradhë të parë nuk ja ka mësuar familja. Dhe këtu pasqyrohet një nga problematikat dhe sfidat më të mëdha të shoqërisë sonë: Edukimi.

Pse sistemi ynë arsimor dhe politik nuk vë asnjëherë si qëllim parësor në kurrikulat dhe programet që harton “parandalimin e bullizmit dhe si të vetëmbrohemi në raste abuzimi’? A vlen  më shumë të prodhojmë shkencëtarë dhe politikanë, sesa qytetarë që në radhë të parë duhet të jenë njerëz?

Lidhur me këtë duhen krijuar një cikël mësimesh duke filluar që në kopsht e deri në universitet. Ministria e Arsimit dhe Sportit duhet të bashkëpunojë fort me institucionet arsimore, mësuesit, prindërit, fëmijët dhe psikologët e këtyre institucioneve, në mënyrë që rastet e bullizmit të minimizohen.

Institucionet arsimore duhet të trajnojnë mësuesit në mënyrë që ata të jenë të aftë të identifikojnë rastet e bullizmit që në fillim dhe të dinë si të veprojnë me një fëmijë të bullizuar apo me një fëmijë bullist në situata të ndryshme.

Prindërve u lind nevoja t’u shpjegojnë fëmijëve të tyre që të vegjël se çfarë është bullizmi, t’u tregojnë se si të vendosin kufij për veten e tyre, të mësojnë të thonë jo, kur diçka ose dikush nuk i bën të ndihen mirë, si dhe të flasin hapur me njerëzit që besojnë.

Psikologët duhet të zhvillojnë seanca informuese për bullizmin vazhdimisht çdo javë, pse jo dhe çdo ditë, nëpër institucionet arsimore dhe të qëndrojnë në komunikim të vazhdueshëm me nxënësit.

Ndërkohë, fëmijët dhe adoleshentët nuk duhet të heshtin dhe ta fshehin bullizmin. Sepse bullizmi nuk është një lojë ‘kukafshehti’. Bullizmi është dhunë. Ai është një virus për të cilin nuk ka vaksinë. Mënyra e vetme si mund ta luftojmë është ngritja e zërit dhe biseda me dikë të besuar, prind, mësues, të afërm apo psikologë.