Borxhlinjtë i detyrohen MIE 44 milionë euro, HEC-et “harrojnë” tarifën koncesionare

Teksa vazhdimisht janë institucionet publike që krijojnë detyrime të prapambetura ndaj palëve të treta duket se edhe këto të fundit nuk janë aq korrekte në shlyerjen e detyrimeve që kanë ndaj institucioneve.

Një raport i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi një auditim në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë konstaton se detyrimet që subjektet debitorë dhe klientë të ndryshëm kanë ndaj këtij institucioni kanë ardhur në rritje vit pas viti. Në fund të vitit 2022 ato kulmuan në 4.65 miliardë lekë apo rreth 44 milionë euro.

“Evidentohet një nivel i lartë i detyrimeve të subjekteve debitore dhe klientëve dhe rezulton një trend në rritje për to për periudhën e audituar. Llogaria “Debitorë të ndryshëm” (llog. 468) pasqyrohet në shumën prej 2,043 milionë lekë në vitin 2020, 4,209 milionë lekë në vitin 2021 dhe 4.69 miliardë lekë në fund të vitit 2022.

Evidentohet se, janë shtuar të drejtat e tjera për arkëtim, për zëra të tilla si “Divident i Albpetrolit” për 2.15 miliardë lekë, (nga kjo shumë janë arkëtuar vetëm 1 milionë lekë); masa e dëmit sipas urdhrit nr.313. datë 23.12.20202 “Për përfundimet e inspektimit financiar publik” për 7 zyrtarë të institucionit, me nga 126,322 lekë/secili” thuhet në raport.

Koncesionarët harrojnë të paguajnë tarifën

Debitorët ndaj kompanisë publike të shpërndarjes së energjisë kanë vijuar të rriten gjithashtu. Në publikimet periodike që kompania raporton pranë Entit Rregullator të Energjisë janë të paktën katër kategori që kanë borxhe ndaj OSHEE por duket se kjo listë është edhe më e gjatë.

Një tjetër grup që ka detyrime ndaj kompanisë është ai i HEC-eve të vegjël me koncesion. Bëhet fjalë për të gjithë ato subjekte që kanë ndërtuar hidrocentrale me kapacitet deri 15MW dhe që energjinë e shesin tek kompania publike sipas marrëveshjes fillestare.

Aktualisht çmimi për 1 kWh energji është 10 lekë. Por këto subjekte kanë detyrimin që të paguajnë një sasi energjie si tarifë koncesionare, ose vlerën e barasvlershme në lekë, diçka që duket se nuk e kanë bërë duke krijuar një detyrim 1.49 miliardë lekë, apo 14 milionë euro.

“Për vitin ushtrimor 2022 janë shtuar detyrimet debitore në kuadër te Llogarisë 468 “Debitorë të ndryshëm”, për OSHEE Grup sha, për detyrimet e tarifës koncesionare, sipas kontratës koncensionare nr.5535/5, datë 24.10.2016 në shumën 1.49 miliardë  lekë.

Përfshirja e detyrimeve të OSHEE Grup sha, për sa llogaritur tarifa koncesionare e prodhimit të energjisë elektrike nga HEC-et të dhëna me koncesion për periudhën 2016-2021, i përket një periudhe 5-vjeçare, veprime dhe mosveprime këto në kundërshtim me parimet e të drejtave dhe detyrimeve të konstatuara në kontabilitet “thuhet në raport./Monitor