“Blinte” vajza shqiptare dhe i shiste si “nuse” tek serbët, gjendet i vdekur biznesmeni kosovar. Në pranga dy të reja nga Shqipëria

Një biznesmen kosovar i cili merrej me “blerjen” e vajzave shqiptare për t’i martuar me shtetas serb është gjetur i vdekur mbrëmjen e djeshme në Gjilan.

66 vjeçari Musah Hamiti, ishte zhdukur që prej 10 janarit, ndërsa dje ai është gjetur në bodrumin e një pallati.

Ai u gjet së bashku me 80 mijë frangat që familja kishte raportuar se i kishte me vete ditën që u zhduk.

Për zhdukjen e biznesmenit ishin arrestuar më herët dy shtetase të Shqipërisë, Silvana Dulellarin e lindur në vitin 1984 dhe Marinela Markoviç (me mbiemrin e burrit serb) e lindur në vitin 1989, të cilat dyshohet se ishin të përfshira, pasi ishin kontaktet e fundit të tij.

Marinela Markoviç është me origjinë nga Shkodra, por në moshën 16 vjeçare është shitur nga familja e saj tek një serb në Zvicër. Si e martuar në moshën 24-vjeçare ajo ka lindur dhe një vajzë me të, prandaj edhe mban mbiemrin Markoviç, shkruajnë mediat në Kosovë. .

Në dëshminë e dhënë për autoritetet pas arrestimit, Marilena Markoviç jetonte prej katër vitesh në Kosovë dhe pretendon se aty e ka sjellë Musa Hamiti. Ajo ka dëshmuar se është takuar me Musain ditën e zhdukjes së tij, ku ai i kishte thënë asaj në takim: “nëse nuk kthehem deri në orën 12 të natës, lajmërom në polici, se unë po shkojë t’i kërkojë ose paratë ose gocën për të cilën kam paguar”.

Ai ka shkuar dhe nuk është kthyer më. Ndërsa për zhdukjen e tij kishte denoncuar bashkëshortja e tij, sepse ajo ishte në dijeni se ai kishte me vete 86 mijë franga.

Marinela Markoviç nuk ishte takuar shumë kohë me Musain, për shkak se ai jetonte me familjen e tij në Zvicër. Teksa ai ka ardhur për vizitë në Kosovë, personi i parë që ai ka takuar ka qenë Marinela. Avokatja e vajzës nga Shkodra theksoi në atë kohë se ata ishin persona shumë të afërt me njëri tjetrin, por që nuk ishin në një lidhje.

Sipas dëshmisë së avokates së Marinelës, dyshohet se Musah Hamiti merrej me prostitucion dhe ditën e zhdukjes kishte shkuar të blinte një femër.

“Personi i zhdukur e ka blerë kinse një femër nga një person, i cili e kishte atë të dashur, dhe i ka propozuar atij që të blejë një femër për një shumë të caktuar, e për këtë Marinela ka qenë në dijeni. Sipas Marinelës, Musahi ka dalë në vendin dhe orën e caktuar, por nuk e ka parë femrën për të cilën i ka dhënë ato para.

Marinela dhe Musai kanë qenë miqë të afërt, sa herë që ka ardhur ai nga Zvicra në Kosovë, vetë apo edhe me bashkëshorten e tij, ata të dy janë takuar me njëri tjetrin, pasi që ishin edhe fqinjë në të njëjtin bllok. Nuk ka ndonjë provë që ajo dëshmon se Marinela është e përfshirë në këtë çështje përveç dyshimeve të cilat janë ngritur, vetëm sepse ajo është mikeshë e tij.” – ka thënë ajo.

Fenomeni i trafikimit të vajzave shqiptare për t’i bërë nuse tek serbët e vjetër në moshë, ose ata në fshatra, është denoncuar disa herë në emisione investigative.