“Blindohet” Shkodra për gjyqin ndaj bosit të krimit rus/ Frikë se bandat serbe mund të ndërhyjnë për ta liruar

Po zhvillohet nën masa të forta sigurie seanca gjyqësore ndaj Igor Kokunov, 59 vjeçari rus, i cili akuzohet për të paktën 30 vrasje.

Arrestimi i tij u bë në pikën kufitare të Murriqanit në muajin gusht, me qëllim ekstradimin drejt Moskës pasi 59-vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar. 

Masat e rrepta sigurie janë ndërmarrë për shkak të informacioneve se bandat e Beogradit mund të ndërhyjnë për lirimin e tij.

Kokunov akuzohet për afro 30 vrasje në Rusi, ndërsa cilësohet edhe si koka e grupeve kriminale në Beograd, kryeqytetin e Serbisë. Gjatë qëndrimit në burgun e Reçit, ka pasur informacione se bandat serbe mund të ndërhynin për arratisjen e tij, ndaj janë marrë masa ekstreme sigurie, duke bllokuar të gjithë rrugën e gjykatës, me forca speciale të mbërritura nga Tirana.

Bosi i krimit Igor Kokunov, i njohur gjithashtu me nofkën “Vasya Bandit”, u arratis më 22 shkurt të vitit 2022 nga “arresti shtëpiak” në pritje të gjykimit. Ai akuzohet për vepra të rënda që parashikojnë dënim mbi 15 vite burgim.

Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore në fillim të muajit shtator, Igor Kokunov, ka pranuar se ka probleme me drejtësinë në Moskë, por proceset penale janë stimuluar për shkak të marrëdhënies jo të mirë që ka ai me regjimin diktatorial të Presidentit, Vladimir Putin.

Igor, ka pretenduar se donte të hyntë në territorin Shqiptar për qëllime turistike dhe se nuk kishte asnjë dijeni se ndaj tij ishte lëshuar një mandat arresti nga gjykata e Moskës.