Blindohet Ksamili, FNSH kryen kontrolle për kapjen e personave me rrezikshmëri shoqërore

Prej mbrëmjes së djeshme, dhjetëra forca policore kanë ndërmarrë njëaksion të gjerë në Ksamil.

Mediat shkruajnë se bëhet fjalëpër një operacion “Top Secret” që po zhvillohet nga forcat operacionale, ato të FNSH në bashkëpunim me policinë e Sarandës.

Mësohet se policia është vënë në ndjekje të disa personave me rrezikshmëri të lartë, të cilët ende nuk janë lokalizuar. Dy furgonë me efektivë të FNSH po krehin zonën nga Ksamili deri në Butrint, ndërkohë që janë ngritur edhe pika kontrolli në hyrje-daljet e qytezës.

Agjentë ndërkohë prej paradites së sotme po kqyrin kamerat e sigurisë në disa biznese për të lokalizuar të dyshuarit. Burime konfidenciale bëjnë me dije se dyshohet të ketë pasur edhe përplasje mes autorëve të dyshuar dhe policisë dhe për  këtë shkak është dashur ardhja e forcave shtesë.

Sipas mediave, hyrjet dhe daljet po kontrollohen nga efektivë të forcave “Shqiponja” ndërkohë që operacioni pritet të shtrihet deri në kufirin shqiptaro-grek në Bashkinë Konispol.