OSBE-ODIHR ka publikuar raportin e plotë për zgjedhjet lokale të 14 Majit në Shqipëri, ku thekson sërish disa problematika që vijojnë të ndodhin në çdo zgjedhje në vendin tonë.
Sipas këtij raporti, konfirmohet sërish problemi i blerjes së votës, që sjell rrezik në integritetin e zgjedhjeve. Ky është një problem i hershëm sipas OSBE-së, por që sërish nuk ka gjetur zgjidhje në Shqipëri.
Një tjetër pikë ku ndalet OSBE është edhe presioni ndaj votuesve që punojnë në administratën shtetërore dhe keqëpërdorimi i burimeve shtetërore. Këto dy probleme bien drejtpërdrejtë mbi qeverinë, pasi raporti i OSBE-ODIHR nënkupton se administrata është vënë nën presion për të votuar qeverinë, ndërkohë që buxheti i shtetit është vendosur nbë dispozicion të kandidatëve të Partisë Socialiste.
“Rastet e keqpërdorimit të burimeve shtetërore në nivelet qendrore dhe lokale, pretendimet për presion mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit, dhe pretendimet për blerje votash ishin shqetësuese”, theksohet në rreshtat e raportit.
Votimi në grup dhe familjar vijon të jetë shqetësues në shumë zona dhe ky është një tjetër problem që theksohet në raport, së bashku me cënimin e sekretit të votës. Një tjetër çështje serioze që shkruhet në raport është edhe presioni i qeverisë mbi qytetarët me ndërprerje fondesh nëse votojnë opozitën.
Në sytë e ndërkombëtarëve ka rënë prania e personave të paautorizuar pranë qendrave të votimit. Nga 101 qendra të monitoruara, në 10% të tyre u konstatuan persona që ndërhynin në procesin e votimit, madje në disa raste edhe në tension të situatës.
Në vendoret e 14 majit u implementua votimi dhe numërimi elektronik në tre bashki, por mënyra se si votuan qytetarët duket shqetësuese për ODIHR duke nënvizuar se ka konstatuar raste të identifikimit të votës.
Ndërsa sa i përket numërimit, raporti nxjerr në pah për disa qendra mos përputhjen e votave të kuti me fletët e shpërndara.
OSBE-ODIHR kërkon që të merren parasysh të gjitha rekomandimet për të garantuar stabilitetin e zgjedhjeve, teksa thotë edhe se duhet t’i kushtohet vëmendje rishikimit të sistemit të emërimit të anëtarëve dhe sekretarëve të administratës zgjedhore të nivelit më të ulët.
Rekomandimet kryesore të OSBE ODIHR:
1. Organet e zbatimit të ligjit duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të identifikuar dhe hetuar në mënyrë të pavarur të gjitha pretendimet për shkelje zgjedhore, duke përfshirë blerjen e votës, presionin ndaj votuesve dhe keqpërdorimin e burimeve administrative, në mënyrë të plotë, në kohë dhe transparente. Votuesit duhet të informohen sistematikisht për mekanizmat e zbatueshëm për raportimin e shkeljeve, duke përfshirë mbrojtjen e sinjalizuesve dhe masat mbrojtëse kundër pasojave.
2. Autoritetet duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për të rritur ndërgjegjësimin për fenomenin e kahershëm të blerjes së votës dhe rreziqet që ajo paraqet për integritetin e zgjedhjeve. Denoncimi publik i praktikave të tilla para dhe gjatë fushatës nga palët kryesore të interesuara, duke përfshirë zyrtarët shtetërorë dhe drejtuesit e partive, mund të shërbejë si një pengesë e mundshme.
3. Për të garantuar fshehtësinë e votës dhe për të parandaluar frikësimin e votuesve, votimin në grup dhe me përfaqësues, autoritetet duhet të zbatojnë masa mbrojtëse procedurale efektive.
4. Për të siguruar një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, të gjitha entitetet vendimmarrëse, duke përfshirë parlamentin, partitë e tij politike dhe palët e tjera të interesuara zgjedhore, duhet të angazhohen për një reformë kuptimplote zgjedhore dhe të adresojnë të gjitha rekomandimet e ODIHR.
5. Dispozitat ligjore në lidhje me fushatën, përfshirë ato kundër keqpërdorimit të burimeve administrative, duhet të rishikohen për të hequr paqartësitë dhe për të siguruar kushte të barabarta. Autoritetet, duke përfshirë administratën zgjedhore dhe organet e zbatimit të ligjit, duhet t’i trajtojnë të gjithë garuesit në zgjedhje në mënyrë të barabartë.
6. Autoritetet duhet të sigurojnë zbatimin e duhur të Ligjit për të Drejtën e Informimit, të dekriminalizojnë shpifjen dhe të mbështesin gazetarinë e pavarur.
7. Në përputhje me rekomandimet e mëparshme të ODIHR-it dhe për të garantuar stabilitetin e administratës zgjedhore, duhet t’i kushtohet vëmendje rishikimit të sistemit të emërimit të anëtarëve dhe sekretarëve të administratës zgjedhore të nivelit më të ulët. Duhet të merren masa për të përjashtuar zëvendësimet arbitrare të anëtarëve të administratës zgjedhore.
8. Përdorimi nga media i materialit të prodhuar nga partitë ose autoritetet shtetërore në programet e lajmeve dhe informacionit duhet të shmanget ose të kufizohet në raste të jashtëzakonshme, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore. Sa herë që transmetohet, një material i tillë duhet të identifikohet qartë si përmbajtje e prodhuar nga konkurrentët politikë siç kërkohet me ligj. Sanksionet duhet të vendosen dhe të zbatohen për shkeljet që lidhen me kërkesat e identifikimit