Besa Kokëdhima do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e 68 të Eurovizionit, që do të mbahet në Malmo të Suedisë.
Kënga e saj “Zemrën n’dorë” ishte më e votuara nga publiku në edicionin e 62-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, i cili u fitua nga këngëtari i ri, Mal Retkoceri me këngën “Çmendur”.
“Zemrën n’dorë” është një kompozim i vetë Besa Kokëdhimës me producentin Kledi Bahiti. “Faleminderit nga zemra, faleminderit familjes sime. Faleminderit shumë Kledi Bahiti, Darko Dimitrov, Rozana Radi, Petrit Sefaj, Erjon Zaloshnja dhe orkestrës, si dhe Bojken Lakos që është një perlë dhe që është një nga arsyet që kam marrë pjesë në Festival sivjet. Ju falënderoj shumë, të gjithëve. Dhe faleminderit për mbështetjen të gjithëve do të bëj të pamundurën”, u shpreh Besa Kokëdhima pasi mori “biletën” për në Suedi.
Ndërkohë, çmimi i dytë i Festivalit u fitua nga Tiri Gjoci me këngën “Në ëndërr”, ndërsa këngëtari Shpat Deda fitoi çmimin e tretë me këngën “S’mund të fitoj pa ty”.