Berisha: Ramën e detyruan që të mos marrë pjesë në protestën e UÇK-së

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një komunikim për gazetarët jashtë Kuvendit tha se kryeministrin Edi Rama e detyruan që të mos marrë pjesë nesër në protestën që do të zhvillohet për ish-krerët e UÇK-së në Tiranë, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.

Sipa kryedemokratit, Rama kishte përgatitur një fjalim një orë, por e detyruan që të tërhiqej.

“Ramën e detyruan…që mos të merrte pjesë në protestën e UÇK-së. E detyruan. Kush? Mos të bëjmë…se edhe jua them dhe pastaj kur del ashtu nuk thoni se e tha.. E detyruan. Kishte përgatitur fjalimin 1 orë. Por e detyruan. Ata që e detyruan, u detyrua që të tërhiqej. Kishte përgatitur një fjalim të gjatë. Ka kaluar në stilin e kubanëve. Mbështetjen time të plotë e shpreh për ish-udhëheqjen e Kosovës. Skam parë asnjë provë inkriminuese”, tha ai.

Ndërkohë Berisha foli edhe për vendimin që opozita të mos i bashkohej kësaj proteste, që do të zhvillohet nesër në Sheshin Skënderbej. Berisha tha se vendimi i tyre ishte politik, ndërsa shprehu mbështetjet për ish-drejtuesit e Kosovës.

“Vendimi ynë, ishte vendim politik. Shpreh mbështetjen time të plotë për ish-udhëheqjen e Kosovës. S’kam parë asnjë provë inkriminuese ndaj tyre.”, tha ai.