Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar një video që sipas tij tregon atentatin e dështuar ndaj ish-kreut të komunës së Shëngjinit, Salvador Kaçaj dhe djalit të tij.
Në video duket që makinës me të cilën po udhëtonte Kaçaj i zë rrugën një makinë me ngjyrë të bardhe dhe prej saj dalin dy persona, që sipas Berishës janë të armatosur dhe do qëllonin mbi Kaçajn dhe djalin e tij.
Por fatmirësisht shoferi i makinës ecën mbrapa dhe arrin të largohet me shpejtësi, duke shmangur një ngjarje të rëndë.
“Në 14 maj kam denoncuar atentatin e dështuar të organizuar nga bandat kriminale ndaj ish kryetarit të Bashkisë së Shëngjinit, njërit prej futbollistëve më të shquar të vendit, demokratit Salvador Kaçaj. Ai po udhëtonte së bashku me të birin dhe banditë të armatosur i dalin përpara për ta ekzekutuar, por një manovrim i shpejtë i shoferit e bëri të pamundur aktin e tyre kriminal. Atë ditë Edi Rama reagoi menjëherë me një cinizëm, me një tallje ndaj këtij akti sikur ky akt ishte një shpikje e Kaçajt dhe nuk kish ndodhur kurrë. U desh kohë që të siguronim videon e këtij akti kriminal, video që do ta paraqes sot. Video tregon se si kriminelët i zunë rrugën dhe të armatosur dolën për të kryer krimin”, tha Berisha.