Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me lajmin e publikuar nga një gazetar amerikan, i cili shkruan se DASH, i ka kthyer përgjigje se Sali Berisha tani mund të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një deklaratë publike, Partia Demokratike shprehet se “përshëndet qëndrimin e Departamentit të Shtetit, të bërë publik nga media amerikane, si të drejtë dhe kthim të legalitetit, të marrë peng nga administrata Biden me lobimin e George Soros dhe Edi Ramës”.
Sipas PD, e drejta ka vonuar, por është vënë në vend falë administratës së Presidentit të SHBA, Donald Trump, fitorja e të cilit i ka shërbyer botës së lirë.
Për Partinë Demokratike nuk është liria e Sali Berishës, e cila është penguar gjithë këto vite, por është penguar liria dhe e drejta e shqiptarëve për të zgjedhur drejtuesit e tyre, të pandikuar nga ndikimet e partisë në pushtet.
Deklarata e PD:
“Partia Demokratike vlerëson dhe përshëndet qëndrimin e Departamentit të Shtetit, të bërë publik nga media amerikane, si të drejtë dhe kthim të legalitetit, të marrë peng nga administrata Biden me lobimin e George Soros dhe Edi Ramës.
E drejta ka vonuar, por është vënë në vend, falë administratës së Presidentit Trump, fitorja e të cilit i ka shërbyer botës së lirë, me mesazhin e fortë dhe të drejtë, që u përsërit edhe në fjalën e zv. Presidentit Vance në Mynih.
Partia Demokratike, në emër të kryetarit të saj, Sali Berisha, të 26 partive të koalicionit, dhe të demokratëve, që mbajtën barrën e qëndresës, falenderon Deparatamentin e Shtetit për qëndrimin e drejte dhe parimor!
Nuk është liria për të udhëtuar e Sali Berishës, që është penguar këto vite, por është liria e popullit shqiptar për të zgjedhur udhëheqësit e vet, dhe për të pasur një opozitë që nuk e emëron pushteti.
Amerika nuk është e panjohur me këtë skenar, siç e ka dëshmuar katër vitet e fundit në gjuetinë e shtrigave kundër Presidentit Trump.
Sekretari i Shtetit, Republikani James Baker, e pat thënë, në Sheshin “Skënderbej”, 34 vite më pare: “liria funksionon”.
Ajo funksionoi edhe sot”
Pulikimi i gazetarit amerikan
Gazetari amerikan Marc Caputo pretendon se ka komunikuar me DASH, ndërsa ka publikuar një përgjigje që sipas tij tregon qëndrimin e DASH mbi këtë çështje.
Në një koment në rrjetin “X”, ai shkruan: “E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA”, shkruan gazetari, i cili publikoi edhe përgjigjen e DASH.
“Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare.Ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it”, thuhet në përgjigjen e DASH, sipas gazetarit amerikan.