Ish-kryeministri Sali Berisha përpara hyrjes në selinë e PD u ndal për një prononcim të shkurtër për mediat, ku foli për caktimin e avokatëve që i zgjodhi GJKKO për ta përfaqësuar.
Ai ironizoi avokatin Artan Simoni, i cili u caktua për të mbrojtur Berishën, por u zëvendësua brenda pak orësh për shkak të sulmeve që i bënte ish-kryeministrit në rrjetet sociale.
“Ishte….e patë ju kush ishte. Fytyra e vërtetë e tyre. Ai ishte (qesh). S’kam asnjë njoftim për shtyrjen. Tani pa u njoftuar….ai që ishte…ishte ekzemplari më i shkëlqyer për Edi Ramën. Pastaj unë nuk kam njoftim.”, tha Berisha.
Tre ditë më parë, avokati Artan Simoni shkruante në një postim në facebook: “Bisha është plakur, bisha është lodhur, bisha s’mundet më. Shumë prej atyre që dikur bisha mbante mbi kurriz, pas kurrizit kanë filluar t’a çukasin. Ku gaboi bisha?!”.
Ky postim i tij u publikua nga Shkëlzen Berisha, ndaj edhe gjykata vendosi që ta zëvendësonte atë me dy avokate të tjera, Jalldiz Kastratin dhe Rabie Cenalia.