Berisha ankimoi vendimin për “arrest shtëpie” dhe përjashtimin e gjyqtares nga çështja, GJKKO regjistron kërkesën

GJKKO ka regjistruar kërkesën e ish kryeministrit Sali Berisha për ankimimin e vendimit “arrest shtëpie”, me argumentin se duhet të shkojë në Kuvend. Gjithashtu gjykata ka regjistruar edhe ankimimin për përjashtimin e gjyqtares nga çështja.

Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtarja Iliriana Olldashi.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar regjistroi çështjen penale nr. 27 akti, datë 16.11.2023 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim S.B. me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 520, datë 30.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit personal) dhe vendimit nr. 521, datë 27.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për përjashtim gjyqtari) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.