Berisha akuzon Ramën: Sulmin në veri e parapërgatiti me Vuçiçin! Bisedimet në OKB kundër Kosovës nxjerrin emrin e tij

Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të forat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar si një nga organizatorët e sulmit në veri të Kosovës së bashku me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

Sipas tij, në sallat e selisë së OKB-së, 2 kryeministra kanë kërkuar që komunat me shumicë serbe në Veriun e Kosovës të vendosen nën kontrollin e KFOR. Berisha thotë se njëri prej këtyre ka qenë Edi rama, pasi ai ishte i pari që kërkoi ndërhyrjen e KFOR kur ndodhi sulmi ndaj efektivëve.

“Skenari, akti terrorist që kryen falangat terroriste serbe në Zveçan, kishte një background të parapërgatitur nga Edi Rama dhe Aleksander Vuçiç. Burime nga Kombet e Bashkuara bëjnë me dije se në sallat e kësaj selie, në një takim jopublik 2 kryeministra, përveç atij të Serbisë, duke shtrigëzuar Albin Kurtin, kanë paraqitur kërkesa që komunat me shumicë serbe në Veriun e Kosovës të vendosen nën kontrollin e KFOR. Emra nuk citohen, por pse del Edi Rama? Del sepse në 24 shtator në orën 11, sapo u mor vesh vrasja e policit në krye të detyrës, Rama vrapoi me të madhe të kërkojë konferencën ndërkombëtare për Kosovën. Kjo tezë është diskutuar edhe në këtë mbledhje. Kjo kërkesë është paraqitur nga Vuçiç dhe terroristët e Listës Serbe. Rama me Vuçiç kanë vetëm një plan, zhbërjen dhe ndarjen e Kosovës”, tha Berisha ndër të tjera.