Një plagosje e rëndë ka ndodhur pas mesnatës së kaluar në qendër të qytetit të Beralit. Burime bëjnë me dije se një kamerier 17-vjeç dyshohet se është dhunuar katër klientë në ambientet e punës.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 00:45 minuta ku adoleshenti raportohet se është goditur me grushte, shkelma e karrige dhe ka marrë plagë të shumta. Mësohet se i plagosur ka mbetur 17-vjeçari me iniciale B.D, i cili është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Beratit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Dëshmimtarë bëjnë me dije se gjatë sherrit, klientët janë larguar të tmerruar me vrap nga ambientet e lokalit. Nuk dihen ende motive e dhunimit të adoleshentit, apo identiteti i autorëve.
Për zbardhjen e plotë të ngjarjes mësohet se Policia e Beratit ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë të lokalit.
Gjatë natës, në lagjen “22 Tetori”, Berat, pranë një picerie, dyshohet se për motive të dobëta, shtetasit R. Q., 16 vjeç G. Q., 16 vjeç, (vëllezër) dhe I.B., 16 vjeç, janë konfliktuar fizikisht dhe kanë goditur me sende të forta shtetasin B. D., 17 vjeç, i cili punonte në këtë piceri.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar menjëherë në ambientet e komisariatit, shtetasit R. Q,. G. Q dhe I.B., me të cilët po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale, në praninë e psikologut dhe prindërve të tyre.
Ndërkaq, grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.