Benet Beci ceremoni në Shkodër për 29 Nëntorin, kujtimet e të atit e nxjerrin blof: Nuk ka patur “çlirim”, gjermanët ikën pa luftë

Për herë të parë që pas rënies së komunizmit, Bashkia e Shkodrës ka zhvilluar një ceremoni për 29 Nëntori, që njihet zyrtarisht edhe si Dita e Çlirimit të Shqipërisë.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishte edhe kryebashkiaku Benet Beci, i cili vendosi kurora me lule te Varrezat e Dëshmorëve.

Por festimi i Ditës së Çlirimit nga Benet Beci bie ndesh me fjalët e babait të tij, akademikut të njohur Bahri Beci, i ndarë nga jeta këtë vit. Në librin e kujtimeve të Bahri Becit, të titulluar “Një libër që nuk do doja ta shkruaja”, botuar 10 vjet më parë nga Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, janë disa detaje tepër interesante në lidhje me 29 Nëntorin 1944.

Një pjesë nga ky libër e citon historiani Kastriot Dervishi, i cili thotë se Bahri Beci në asnjë rresht të kujtimeve të tij nuk përmend fjalën “çlirim”, pasi ushtria gjermane ka ikur pa luftë dhe komunistët janë sjellë me popullin si pushtues.

“Duhet të ketë qenë data 28 nëntor atë natë kur gjermanët u larguan nga lagjja jonë, por edhe nga Shkodra dhe lanë peshqesh ato dy shpërthime që tronditën qytetin si të ishte tërmet shtatë a tetë ballësh…Pra 29 nëntori e gjeti Shkodrën pa këmbë gjermani. Partizanët ishin vendosur në lagjet periferike të qytetit dhe prisnin momentin të futeshin në qytet. Ato ditë Shkodra u mbush me partizanë. Të krijonin përshtypjen e një batalioni të shpartalluar se sa të një ushtrie. Shumë shpejt filluan kontrollet nëpër shtëpia dhe operacionet ushtarake”, thuhet ndër të tjera në kujtimet e Bahri Becit.

Postimi i Kastriot Dervishit:

Kujtimet e akademikut dhe gjuhëtarit Bahri Beci (1936-2023), botuar 10 vjet më parë nga Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, interesante janë tejet. Ndër të tjera autori ka sjellë me trishtim edhe çastin kur komunistët hynë në Shkodër. Në asnjë rresht të kujtimeve ai nuk përmend fjalën “çlirim” sepse diçka të tilla nuk ka pasur. Ushtria gjermane ka ikur pa luftë e pa pengesa dhe komunistët janë sjellur me popullin si pushtues.

Pjesë nga kujtimet:

Duhet të ketë qenë data 28 nëntor atë natë kur gjermanët u larguan nga lagjja jonë, por edhe nga Shkodra dhe lanë peshqesh ato dy shpërthime që tronditën qytetin si të ishte tërmet shtatë a tetë ballësh…Pra 29 nëntori e gjeti Shkodrën pa këmbë gjermani. Partizanët ishin vendosur në lagjet periferike të qytetit dhe prisnin momentin të futeshin në qytet. Nuk di si dhe kur, por mbaj mend që një natë shtëpia u mbush me partizanë. Ishin veshur keq dhe në këmbë mbanin opinga. Më duket se babai pranoi që disa prej tyre të flinin atë natë aty te ne. Thoshin se kishin edhe morra e kjo ishte shqetësuese. E kam të vështirë t’ju them se sa ndenjën dhe kur ikën. Po ka mundësi të jenë larguar të nesërmen.

Ato ditë Shkodra u mbush me partizanë. Të krijonin përshtypjen e një batalioni të shpartalluar se sa të një ushtrie. Shumë shpejt filluan kontrollet nëpër shtëpia dhe operacionet ushtarake. Çdo ditë qarkullonin fjalë për vrasjen e këtij ose atij “armiku” a “tradhtari”.

(Bahri Beci, “Një libër që nuk do doja ta shkruaja”, botim i ISKK, Tiranë 2013, faqe 163)