Pasi fitoi një nga betejat më të vështira dhe të rëndësishme brenda Partisë Socialiste, atë kundër Erion Veliajt, oreksi për pushtet i Belinda Ballukut nisi të shtohet ndjeshëm.
Në karrigen e zv.kryeministres por edhe në drejtim të një prej ministrive më të rëndësishme në vend prej shumë vitesh, Balluku e ka konfirmuar veten si numri 2 i Partisë Socialiste, por ky oreks i shtuar duket se po e shtyn të provojë diçka më të madhe, dominimin e PS-së.
Synimi që ka është shumë i vështirë, madje pothuajse i pamundur, pasi Edi Rama ka treguar se sapo sheh një rrezik të vogël, të hedh menjëherë në “gojën” e drejtësisë. Dhe aferat e Ballukut nuk janë të pakta.
Por, hapat e parë kanë nisur dhe janë domethënës, pasi Balluku po largon një nga një të gjithë ata që Rama i ka patur afër prej vitesh, duke mos i përfshirë në punët e rëndësishme brenda partisë dhe në fushata elektorale.
Pasi mbushi listën e kandidatëve të qarkut të Fierit me ish-drejtorë dhe njerëz të besuar të saj, Balluku u kujdes që të largonte nga ky qark Erion Braçen, i cili kishte një mbështetje të madhe sidomos në zonën e Divjakës.
Braçe kandidoi në Tiranë, në Njësinë nr.5, ku kandidatë dhe të tjerë socialistë që kryeqytetin e kishin bastionin e tyre, një lëvizje që u pa si një zgjedhje e Ballukut për ta lënë jashtë Parlamentit, por Braçe jo vetëm fitoi mandatin, por ishte edhe kandidati më i votuar.
Pavarësisht kësaj, Balluku nuk u mjaftua me kaq, pasi në zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Tiranës, fushatën e së cilës do ta drejtojë vetë, ajo thuajse e përjashtoi sërish Braçen nga fushata, çfarë solli edh reagimin e tij të fortë në rrjetet sociale.
Por Braçe ka vetëm fjalët, Balluku ka pushtetin.
Një tjetër figurë socialiste që Balluku po tenton ta largojë sa më shumë nga Rama është Elisa Spiropali. Pas “dushit të ftohtë” në mbledhjen e gurpit parlamentar kur Spiropali ishte kryetare Parlamenti, me zv.kryeministren që e akuzoi se i jepte shumë kohë opozitës për të folur pasi kishte frikë nga akuzat e tyre për lidhjen e saj me krimin, erdhi edhe lëvizja tjetër.
Në fushatën për 9 Nëntorin, Spiropali nuk figuron fare në listat e drejtuesve politikë të kryeqytetit, pavarësisht se kishte qenë e tillë në fushatën për zgjedhjet e 11 Majit. Madje, Balluku ka vendosur si drejtues politik në kryeqytet edhe njeriun e saj më të besuar Ceno Klosin, që kandidoi në qarkun e Fierit.
Për Spiropalin, tashmë bëhet edhe më e vështirë të jetë pjesë e rëndësishme e Partisë Socialiste, pasi Balluku i ka qëllimet e qartë. Në sytë e zv.kryeministres, ajo është një armike për synimin e saj të madh, të zërë vendin e Edi Ramës.
Belinda Balluku i ka nisur manovrat duke larguar pak nga pak njerëzit e besuar të Ramës, për të arritur te lëvizja e fundit, katapultimi në krye të PS-së. Ajo e di mirë se nuk ka garanci të madhe si numri 2 i partisë, pasi në komunizëm, nuk ka numër 2. Shembulli “Ahmetaj” ishte mëse i qartë.