BE shqyrton një marrëveshje të përkohshme tregtare me SHBA-në me tarifë 10%

Bashkimi Evropian po shqyrton një marrëveshje të përkohshme tregtare me Shtetet e Bashkuara, e cila do të ruajë një tarifë prej 10% mbi shumicën e eksporteve, njoftoi Komisioni Evropian për ambasadorët e BE-së ditën e premte.

Ky zhvillim vjen pas një raundi vendimtar bisedimesh të mbajtura të enjten në Uashington, ku Komisioneri i Tregtisë, Maroš Šefčovič, përpiqej të shmangte kërcënimin e Presidentit Donald Trump për vendosjen e një tarife 50% mbi të gjitha mallrat evropiane nga 9 korriku, nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Përveç tarifës bazë, sipas dy zyrtarëve kombëtarë që cituan drejtues të lartë të Komisionit, do të vijojnë bisedimet për lehtësira të mundshme në sektorë të veçantë industrialë, si industria e automobilave.

Megjithatë, ky rezultat nuk përmbushi pritshmëritë e kryeqyteteve evropiane, pasi më herët ishte lënë të kuptohej se lehtësime tarifore të menjëhershme për disa industri ishin në shqyrtim. Aktualisht, SHBA aplikon tarifa 25% për makinat dhe 50% për çelikun dhe aluminin.

Përçarje brenda BE-së

Pavarësisht bisedimeve intensive, gjetja e një kompromisi mbetet sfiduese për Presidenten e Komisionit, Ursula von der Leyen, pasi vendet anëtare të BE-së janë të ndara në lidhje me mënyrën e trajtimit të negociatave. Sipas tre diplomatëve, të gjitha opsionet, përfshirë edhe mungesën e marrëveshjes – janë ende në tryezë.

Në një zhvillim të vonshëm, pala amerikane kërcënoi BE-në me një tarifë 17% për importet ushqimore, konfirmuan dy zyrtarë kombëtarë, duke iu referuar një raporti të “Financial Times”.

Para se të angazhohet në një marrëveshje paraprake, von der Leyen pritet të konsultohet individualisht me liderët e BE-së gjatë fundjavës, për të vendosur se si do të veprohet më tej, tha një prej zyrtarëve.

Nga ana e tij, Presidenti Trump pritet të konsultohet me këshilltarët e tij të hënën, sipas dy diplomatëve të BE-së, çka do të thotë se një njoftim zyrtar mund të vijë më vonë.

Strategjia amerikane me “rregullin e tre kategorive”

Sipas një diplomati të BE-së, Komisioni vlerëson se Trump do t’i ndajë partnerët tregtarë të SHBA-së në tre kategori:

  1. Aty ku ka marrëveshje të përkohshme, tarifat reciproke mbeten të ngrira, dhe mund të ketë lehtësime shtesë më vonë.
  2. Aty ku s’ka marrëveshje ende, do të rikthehen tarifat e njoftuara në prill (në rastin e BE-së, 20%) gjatë kohës që vijojnë negociatat.
  3. Aty ku negociatat po ecin keq, tarifat më të larta do të mbeten në fuqi për një kohë të pacaktuar.

Von der Leyen e përgatiti terrenin të enjten për një marrëveshje bazike “në parim”, e cila do të pasqyronte një marrëveshje të ngjashme mes Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së, ku tarifat bazë mbetën, por u përjashtuan makinat dhe eksportet e çelikut nga sanksionet, ndërkohë që bisedimet për një marrëveshje të plotë vazhdojnë.

Megjithatë, disa shtete anëtare paralajmëruan se një marrëveshje e tillë nuk është e pranueshme pa një angazhim të qartë dhe të menjëhershëm nga Trump për të hequr tarifat ndaj sektorëve kryesorë.

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka kërkuar arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje, si dhe ulje tarifash për industrinë eksportuese gjermane. Ndërkohë, vende si Franca, Spanja, Italia dhe Danimarka po kërkojnë që Komisioni të synojë një marrëveshje më të drejtë dhe të balancuar me administratën Trump.

BE e mban “në pritje” paketën e kundërmasave

Ndërkohë, Brukseli ka mbajtur në pritje një paketë të dytë hakmarrjeje kundër tarifave amerikane, me një vlerë prej 100 miliardë euro, për të lejuar hapësirë për negociata dhe për të mos krijuar përshtypjen se BE-ja po e përshkallëzon konfliktin tregtar transatlantik./Politico.com