Bindja e presidentit amerikan Donald Trump që të ndalë luftën globale tregtare është ndër prioritetet kryesore të Bashkimit Evropian për samitin e G7 në Kanada.
Kreu i Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, të dielën i bënë thirrje Trumpit të ndalë dëmtimin e ekonomisë globale me tarifa doganore.
“Le të mbajmë tregtinë ndërmjet nesh të drejtë, të parashikueshme dhe të hapur. Të gjithë duhet të shmangim masat proteksioniste, ky është një mesazh i rëndësishëm që G7 mund t’u dërgojë tregjeve dhe botës,” tha von der Leyen gjatë konferencës së parë për shtyp të liderëve të G7 në Kanada.
Duke kërkuar “një diskutim të sinqertë mes partnerëve të G7, rikthimin e ndjenjës së stabilitetit dhe parashikueshmërisë mes nesh,” von der Leyen theksoi se Brukseli po vazhdon negociatat për një armëpushim tregtar me Uashingtonin.
Costa tha se BE-ja nuk mund të rrisë shpenzimet për mbrojtje, ashtu si kërkon Trump, nëse në të njëjtën kohë duhet të përballet me një luftë tregtare.
“Kjo nuk është koha e duhur për të krijuar pasiguri në ekonomi, nuk është koha e duhur për të krijuar probleme në tregti, sepse ne duhet të forcojmë bazat tona ekonomike, po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara duhet të forcojnë bazat e tyre ekonomike,” tha Costa./Politico.com