Prej ditës së djeshme vetëvrasja e 41-vjeçares Bedrie Loka ka tronditur opinionin publik, ndërsa të tjera detaje zbulohen çdo orë që kalon. Një ditë pas vdekjes së gruas, bashkëshorti i saj Xhemal Loka u shfaq i prekur dhe i lënduar nga ngjarja, duke ngjallur mëshirën e njerëzve të tjerë. Edhe dje pasi ai dëshmoi se ngjarja ishte nxitur nga hapja e adresave false në Tik Tok, njerëzit dhe figura të njohura u shprehën të indinjuar, ndërsa fajësonin rrjetin që kishtë lënë 4 fëmijë pa nënë dhe një bashkëshort pa gruan e tij.
Në rrjetet sociale, më 3 janar, ditën që Bedria ndërroi jetë, 24 orë pasi ishte dërguar në spital me urgjencë, Xhemali nxitoi të vendoste fjongon që tregonte se ishte në zi.
Por sot, policia e arrestoi Xhemal Lokën, pasi sipas dëshmive të vëllezërve të gruas dhe vajzës së çiftit, Bedria dhunohej psikologjikisht nga i shoqi.
Madje burri kishte marrë edhe thikën dhe e kishte kërcënuar se do ta vriste.
Mëngjesin e 2 janarit ai e gjeti të shtrirë në tokë, pasi gruaja kishte pirë fostoksinë dhe e dërgoi bashkë me fëmijët në spital, por ajo nuk mundi të mbijetonte.
Ndërkohë që shfaqej duke mbajtur zi dhe shtirej në publik si i rënduar nga kjo ndodhi, ai nuk kishte harruar që telefonin personal t’ia jepte së motrës për ta fshehur. Në të kishte mesazhe dhe video kërcënuese ndaj bashkëshortes së tij, të cilat u zbuluan pasi policia gjeti telefonin. Madje ai mbante në shtëpi edhe armë.
Prej kohësh Xhemali e kishte kërcënuar dhe dhunuar Bedrien derisa ajo vendosi të shihte vetëvrasjen si zgjidhje, për të shpëtuar jo vetëm nga bullizimi që i bëhej në rrjetet sociale por edhe në familje.
Bashkëshorti, me siguri e priste që ajo të ndërmerrte këtë akt, ose në të kundërt siç edhe kishte kërcënuar, do t’i jepte fund vetë. Ndërkohë që shoqëria civile protestonte kundër bullizimit në rrjetet sociale, vëllezërit e Bedries dolën në televizor dhe u shprehën se motrën e tyre nuk e vrau Tik Tok, por bashkëshorti i saj.
Ngjarja të kujton atë të Liridona Ademajt, disa javë më parë, ku Naimi pagoi 30 mijë euro për vrasjen e saj dhe më pas krijoi një alibi për të mbuluar ngjarjen, duke sajuar se disa grabitës u kishin dalë para dhe kishin vrarë gruan. Në fillim ai u duk viktima në këtë histori, por shpejt u zbulua se në fakt ai ishte porositësi që urdhëroi vrasjen e bashkëshortes. Arsyeja ende nuk është zbuluar.
Rasti i Xhemalit duket të jetë më i thjeshtë. Ai ia hodhi fajin “Tik Tokut” dhe të gjithë komentuesit, personazhe publikë dhe politikë reaguan kundër rrjeteve sociale. Mirëpo vëllezërit treguan se në fakt nuk ishte faji i Tik Tok, por se “motrën e tyre e vrau Xhemali”.
Nuk dihet ende se kush ishte personi që hapte adresat false me fotot e Bedries, por ajo që dimë deri tani është se Xhemal Loka kthehej vetëm dy herë në vit në Shqipëri dhe profilet false në rrjetet sociale kishin ngjallur më shumë sherr mes tyre.
Historia e Bedries ishte vetëm njëra prej shumë historive të ngjashme që dëgjojmë shpesh në ditët e sotme.
Presioni i shoqërisë, mentaliteti maskilist, vështirësitë ekonomike dhe problemet sociale, konsiderohen disa nga faktorët kryesorë që nxisin vrasjen e grave, që në shumë raste konsiderohen si pronë ekskluzive e burrave dhe si për ironi të fatit shpesh ndihen më të pasigurta se kudo, brenda vetë shtëpive të tyre.