Ka nisur në Gjykatën e Tiranës seanca për për regjistrimin e ndryshimeve statutore të Kuvendit Kombëtar të 2 shtatorit, të thirrur nga Lulzim Basha.
Sipas ndryshimeve statutore të miratuara në atë Kuvend, Lulzim Basha përveçse kryetar partie, do të ishte edhe kryetar i Grupit Parlamentar, teksa kishte të drejtë që këtë detyrë t’ia delegonte një tjetër deputeti.
Gjithashtu në statut thuhet se Basha nuk do të mbajë përgjegjësi sa herë që të humbë zgjedhjet. Përfaqësues të PD zyrtare në shqyrtimin e sotëm në Gjykatën e Tiranës, Rezart Kthupi dhe Indrit Sefa, nga “PD e Bardhit” Marash Logu dhe Redi Rama, ndërsa nga PD e Berishës, Çlirim Gjata dhe Franc Nuri.
Ndërkohë, janë zbardhur edhe disa nga pretendimet e përfaqësuesve në Gjykatë:
Indrit Sefa: Autorizimi i Rithemelimit është një autorizim nul. Nuk janë tagra që ata mund t’i kenë për t’u bërë pjesë në proces. Komisioni i Rithemelimit, në dijeninë time, nuk ka personalitet juridik. Si i tillë, nuk mund të lëshojë autorizim përfaqësimi.
Komisioni i Rithemelimit e ka mbaruar mandatin në prill 2022. Nuk ekziston më si koncept Rithemelimi. Është hera e parë që pas gjykimit në Apel, që Rithemelimi vjen si entitet, ndonëse nuk ka mandat. Nuk kanë autorizim për këtë gjykim. Nuk mund të marrësh një autorizim e ta përdorësh për të gjitha llojet e gjyqeve.
Rezart Kthupi: Akti i përfaqësimit, që na paraqitet, është një akt i bërë nga 7 deputetë. Përfaqësimi i partisë me të tretë e ka vetëm kryetari i partisë. Këshilli kombëtar mund ta bëjë delegimin e kësaj kompetence. Nuk jemi në këtë rast. Grupi i deputetëve nismëtare mund të ndjekë të gjithë hapat ligjore deri në përfaqësimin e PD. Këshilli kombëtar nuk mund të zbatojë një kompetencë që nuk e ka.