Balla paralajmëron ndryshim të ligjit për Policinë e Shtetit: Duam ta kthejmë në institucionin më të besueshëm, arrestimet në Dubai…
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka paralajmëruar ndryshim të ligjit për Policinë e Shtetit, me draftin që do të hidhet për konsultim publik brenda pak ditësh.
Ai u shpreh se ligji i ri duhet t’i përshtatet kërkesave të publikut për ta bërë Policinë e Shtetit institucionin më të besueshëm nga qytetarët.
“Ligji i ri i Policisë së Shtetit, i është referuar edhe eksperiencave më të mira, duhet të garantojë një Polici Shteti, e cila duhet t’i përgjigjet kërkesave të publikut në qasjen tonë për ta shndërruar Policinë si në institucionin më të besuar të Policisë në vend. Është një ligj, i cili për sa i përket numrit të neneve dhe ndryshimeve është një ligj goxha i madh dhe në këtë aspekt puna përfundimtare është po aq e rëndësishme për t’iu nënshtruar konsultimeve publike. Është e nevojshme të rregullojmë qasje e Policisë, për të parandaluar çdo lloj qasje edhe komunikimi të papërshtatshëm, me qëllim që garantojmë se ushtrimi në funksionin tyre duhet të garantojnë punë me integritet të lartë, dhe që garantojnë sukses dhe besueshmëri”, tha Balla.
Për sa i përket arrestimeve në Dubai të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Shqipëria, ministri tha se po diskutohet për të konkretizuar marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për ekstradimet e të dënuarve.
“Për sa kohë je në kërkim, qoftë në kërkim policor, detyra e policisë është që këta persona të gjenden dhe të vendosen para drejtësisë. Po punojmë me Emiratet te Bashkuara për të pasur një marrëveshje për ekstradim. Pas disa javësh do të jem në Emirate për të finalizuar një marrëveshje që të mundësojë që dhe ky vend të mos jetë më oaz për këta persona të krimit”, tha ai.