Avion luftarak amerikan rrëzohet në det pas manovrës emergjente për t’i shpëtuar sulmit të rebelëve Houthi

Marina Amerikane ka humbur një avion luftarak F/A-18 Super Hornet me vlerë mbi 60 milionë dollarë, pasi ai ra në det nga aeroplanmbajtësja USS Harry S. Truman gjatë një manovre emergjente për të shmangur zjarrin e rebelëve Houthi në Detin e Kuq.

Ngjarja ndodhi ndërsa avioni po tërhiqej në hangarin e anijes. Sipas një deklarate zyrtare të marinës amerikane, ekuipazhi humbi kontrollin gjatë tërheqjes dhe avioni, së bashku me mjetin tërheqës, ranë në det. Një marinar pësoi lëndime të lehta, por të gjithë pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit janë të llogaritur.

Një zyrtar amerikan konfirmoi për CNN se incidenti ndodhi pasi aeroplanmbajtësja Truman kreu një kthesë të ashpër për të shmangur raketat dhe dronët e lëshuar nga Houthit, të cilët pretenduan se kishin sulmuar anijen.

Kapaciteti i manovrimit të aeroplanmbajtëseve amerikane

Pavarësisht përmasave të mëdha – mbi 330 metra e gjatë dhe me një zhvendosje mbi 100,000 tonë – aeroplanmbajtëset e klasës Nimitz si USS Truman janë jashtëzakonisht të manovrueshme. Të pajisura me dy reaktorë bërthamorë, ato mund të arrijnë shpejtësi mbi 55 km/h.

Eksperti Carl Schuster, ish-kapiten në Marinën Amerikane, tha se për të shmangur sulmet me raketa, aeroplanmbajtëset përdorin manovra “zig-zag”, me kthesa të mprehta 30-40 gradë që zhvendosin ndjeshëm pikën e synuar të raketës.

Sulme të përsëritura dhe incidente të mëparshme

Grupi luftarak i aeroplanmbajtëses Truman ndodhet në rajonin e Lindjes së Mesme dhe është përfshirë në disa incidente që lidhen me sulmet e rebelëve Houthi, të mbështetur nga Irani.

Në shkurt, Truman u përplas me një anije tregtare afër Egjiptit, ndërsa në dhjetor, një tjetër avion F/A-18 nga e njëjta anije u rrëzua aksidentalisht nga kryqëzori amerikan USS Gettysburg, pasi u qëllua gabimisht.

Ndërkohë, një tjetër luftanije amerikane në Detin e Kuq ka përdorur sistemin mbrojtës Phalanx, i cili është mjeti i fundit për mbrojtje nga raketat, për të ndaluar një sulm të afërt nga Houthit në fillim të vitit.

Eskalim i tensioneve në rajon

Sulmet e Houthive ndaj anijeve luftarake amerikane kanë ardhur pasi SHBA-ja ndërhyri për të parandaluar rebelët të sulmonin anije tregtare që po lundronin drejt Izraelit, si reagim ndaj ofensivës izraelite në Gaza që nisi në tetor 2023.

Së fundmi, administrata Trump ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj objektivave Houthi në Jemen, duke shkaktuar kërcënime të mëtejshme nga grupi militant.

Houthit deklaruan këtë muaj se “jemenasit nuk do të ndalen së mbështeturi popullin palestinez derisa të ndalet agresioni izraelit në Gaza dhe të hiqet rrethimi”. Po ashtu, ata akuzuan SHBA-në për një sulm ajror mbi një burg me emigrantë afrikanë, duke pretenduar se dhjetëra persona humbën jetën – një pretendim që ushtria amerikane nuk e ka komentuar ende.