Detaje të reja janë mësuar në lidhje me atentatin që ndodhi më datë 17 Prill në Lundër ku mbetën të plagosur 4 persona, mes tyre edhe një 11 vjeçar.
Teksa ngjarja nuk është zbardhur ende, mësohet se në vendin ku u qëlluan me breshëri plumbash ndaj mjetit me të cilin udhëtonin dy djemtë e pronarit të kompanisë së sigurisë “Pelikani Security”, Vesel Demiraj është gjetur ADN mikse si dhe një bluzë me zinxhir.
Këto të fundit pritet që të ndihmojnë grupin hetimor përsa u përket autorëve.
Kujtojmë se mbrëmjen e 17 Prillit, në automjetin ku udhëtonin dy fëmijët e mitur 11 dhe 17 vjeç të pronarit të kompanisë së sigurisë “Pelikani Sicurity”, miku i tyre Kian Mullai 19 vjeç dhe shoferi Arenc Atafa 34 vjeç, u qëllua me breshëri plumbash. Si pasojë e të shtënave të katër mbetën të plagosur.
Ndërkohë dy djemtë e Demirajt po kurohen jashtë vendit për shkak të plagëve të marra.
Fillimisht u dyshua se autorët kanë dashur të vrisnin gruan e Roan Brahimit, e cila thuhej se kishte një mjet të njëjtë “G-Class” si ai me të cilin udhëtonin 4 të plagosurit.
Dyshohej se autorët kishin ngatërruar mjetin dhe për pasojë u plagosën 4 të rinjtë, të cilët po ktheheshin nga festa e ditëlindjes së 11 vjeçarit D.Demiraj.
Por kjo pistë ka rënë pasi gruaja e Roan Brahimit, shtetësja A.B nuk ka qenë në Tiranë në momentin e atentatit, por në Lezhë, pasi 1 orë më përparë ishte vrarë në një atentat vjehrri i saj, Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimit.