Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë që ndodhi mesditën e sotme në qytetin e Laçit, ku 5 persona u plagosën me armë zjarri.
Një person ka qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një makinë në ecje, pas një sherri banal mes disa të rinjve.
Si pasojë kanë ngelur të plagosur Amarildo Ndoj, Liridon Ismaili, Daniel Gjeloshi dhe Geri Bitri dhe Angjelina Gjezaj, të cilët janë nisur me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Policia ka shoqëruar disa persona, teksa vijon kërkimi për autorin, i cili u largua menjëherë pas ngjarjes.
Kurbin/Informacion paraprak
Rreth orës 13.30, pranë ish-Gjykatës së Kurbinit, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit midis disa personave, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri shtetasit L. I., A. Gj., G. N., A. N, dhe D.Gj, të cilët janë dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore më të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë.
Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin ngjarjes, ku kanë bërë të mundur shoqërimin e disa personave dhe në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e plote të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj, si dhe për kapjen e shtetasit që qëlloi me armë gjatë konfliktit të çastit, i cili është identifikuar nga ana jonë dhe vijon puna për kapjen e tij.