Shqipëria nën sundimin e krimit! Kështu mund të përshkruhen 72 orët e fundit në vendin tonë, ku lajmet kryesore kanë qenë atentatet dhe vrasjet në qytete të ndryshme.
Orët e “tmerrit” filluan në Rrëshen, ku mesditën e 26 shtatorit në qendër të qytetit u ekzekutua në një atentat mafioz 62 vjeçari Martin Bardhi, i cili ishte ulur në një lokal së bashku me disa miq të tij. Breshëria e kallashnikovit e la të vdekur në vend Bardhin, ndërkohë që 3 persona të tjerë u plagosën, por fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Martin Bardhi ishte një emër i njohur për policinë, pasi në 26 mars të këtij viti së bashku me djalin e tij qëlluan me armë drejt makinës së Saimir Reçit, por ky i fundit ia doli të shpëtonte. Ngjarja e ndodhur 2 ditë më parë dyshohet të jetë për hakmarrje, ndaj policia ka shoqëruar pjesëtarët e familjes Reçi.
Mbrëmjen e 26 shtatorit ndodhi një tjetër atentat, këtë herë në Sukth, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri në drejtim të makinës me të cilën po udhëtonin Fatjon Dervishi dhe një mik i tij. Për pasojë, Dervishi humbi jetën, ndërsa miku i tij shpëtoi pa asnjë plumb.
Edhe kjo ngjartje dyshohet të jetë për hakmarrje, pasi vëllai i viktimës është një person me precedent të theksuar penal, i akuzuar edhe për vrasje jashtë vendit.
Të mërkurën e 27 shtatorit do të regjistrohej një tjetër ngjarje e rëndë. Këtë herë armët u zhvendosën në Dukagjin, aty ku Zef e Gjin Guri, babë e bir, u qëlluan me kallashnikov nga 4 persona, të cilët policia i ka identifikuar dhe shpallur në kërkim.
Nga të shtënat humbi jetën Zef Guri, ndërsa djali i tij u plagos rëndë dhe ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë. Martin Qershija, 28 vjeç, Edmond Nika, 29 vjeç, Kujtim Dholla, 25 vjeç, dhe Çesk Serraj, 36 vjeç, janë shpallur në kërkim pasi dyshohet se kanë qëlluar në drejtim të viktimës dhe djalit të tij.
Ndërkohë, për t’i vënë “kapakun” orëve të sundimit të krimit në vendin tonë, në Malësinë e Madhe pas një konflikti banal u plagos Emanuel Guri, i cili fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Atentatet me armë zjarri i lanë vendin dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Artan Tafani, i cili para prokurorëve hodhi dritë mbi 6 vrasje të bujshme të kryera nga banda e Laert Haxhiut. Prokuroria lëshoi 16 urdhër-arreste, teksa disa prej emrave të përmendur nga Tafani janë arrestuar, ndërsa të tjerët u shpallën në kërkim.