ATA NUK E DINË…

Ai di të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes, me veprimet apo mosveprimet e tij, me veshjen, batutat apo vendimet surprizë që merr kur askush nuk e pret.
Po flasim për kryeministrin Edi Rama, i cili në takimet me liderët ndërkombëtarë arrin të marrë gjithmonë vëmendjen maksimale, edhe pse përfaqëson një shtet të vogël e të pafuqishëm para shteteve të tjera.

Në sytë qytetarëve të shteteve europiane, Edi Rama është thuajse lideri perfekt, aq sa në disa sondazhe të kryera, ata e kanë zgjedhur si liderin e preferuar që do të donin ta kishin në krye të qeverisë së tyre.

Por ata nuk e dinë se ajo që shohin në takimet ndërkombëtare, është vetëm maja e ajsbergut e Edi Ramës. Ata nuk e dinë se kryeministri shqiptar është në pushtet prej 10 vitesh, por shqiptarët vijojnë të largohen çdo ditë e më shumë.

Ata nuk e dinë se pas atyre batutave aq të bukura, fshihen qindra miliona euro të vjedhura nga anëtarë të qeverisë dhe jo vetëm në tendera korruptivë, teksa disa ministra kanë qenë e janë në burg, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim dhe ka humbur gjurmët për t’iu shmangur drejtësisë.

Ata nuk e dinë se pensionet dhe ndihma ekonomike në Shqipëri nuk mjaftojnë as për të shtyrë 1 javë me bukë, por që ushqimet dhe çmimet e banesave vetëm rriten, teksa nuk bëhet asnjë ndërhyrje për të frenuar këto abuzime.

Sigurisht që ata nuk e dinë se studentët e mjekësisë në vend që të jenë në auditore, janë në protestë për shkak të një ligji absurd që i detyron të punojnë në Shqipëri për 5 vite pas studimeve, ose në të kundërt duhet të paguajnë gjobën. Ata nuk e dinë, por ky ligj po rikthen edhe njëherë diktaturën, kur qytetarët nuk lejoheshin të punonin jashtë Shqipërisë.

Ata nuk e dinë se Shqipëria ka një President që e ka zgjedhur vetë Edi Rama, e që zbaton urdhrat e tij sa herë i thonë, që dekreton çdo ligj të mundshëm, pa e vënë asnjëherë në diskutim.

Ata nuk kanë sesi ta dinë sa e ndjeshme është çështja çame për shqiptarët, por që qeveria në më shumë se 10 vite nuk e ka kujtuar njëherë të vetme dhe nuk ka kërkuar të drejtat e shqiptarëve që u vranë e përzunë nga shtëpitë e tyre.

Por si mund ta dinë ata sesa vuan populli shqiptar kur sulmohet Kosova dhe vriten djemtë e saj nga terroristët serbë, ndërkohë që kryeministri i shtetit mëmë nuk ngre zërin për të dënuar maksimalisht sulmin dhe shtetin përgjeëgjës, por kërkon dialog mes vendeve, a thua se jeta e atij polici nuk vlen fare.

Qytetarët europianë e duan Edi Ramën, por shqiptarët jo, sepse populli shqiptar është ai që çdo ditë vuan pasojat e një keqqeverisje, ndërsa shqiptarët e Kosovës ndihen të tradhtuar nga një njeri që duhej të ishte mbështetja më e madhe, por që është kthyer në armikun që e ka më të lehtë të bashkëpunojë me Vuçiçin, sesa me Kurtin.

Ata nuk e dinë, por ndoshta koha do ua mësojë…