I penduari i drejtësisë Artan Tafani ka dëshmuar për herë të parë në GJKKO në lidhje me ngjarjet kriminale të kryera nga ai dhe banda e Laert Haxhiut. Tafani ka rrëfyer se si Laert Haxhiu thuri planin për vrasjen e Çajup Selimit në Tepelenë.
Sipas dëshmisë së Tafanit, vrasja është paraqitur si një “nder” për një mik të Haxhiut nga Greqia, i cili jepte 50 mijë euro që porosia e tij të kryhej. Tafani pretendon se nuk e dinte emrin e kujt do të vriste, por se e mësoi në lajme.
“Bledari ishte shoku i Laertit, e donte shumë si vëllain e vet. Kemi shkuar te shpia e këtyre çunave, jemi takuar shumë herë. Shkuam te një lokal në një fshat, kishin marrë nja dy miq që këndonin, nja dy goca, Berberi, Romaçka, unë, Lubja, një çun me “X5”, s’mbaj mend. Morëm me ngrënë me pirë, muzikë. Hajde dalim pak jashtë më thotë Laerti. Ore më thotë do bësh naj punë? I them ti e di! Ça di të bësh, i them kam vjedh, jam marr me mall skam bërë naj gjë të madhe. Ça do t’bësh më tha? I them s’ma merr mendja që më do mua për ato punë. E kisha në kontekstin për të vrarë njerëz, ku dija unë për ça më donte, naj shofer naj lart e poshtë. Mos e thuaj këtë thotë ai, të gjithë kemi nevojë. Më mori me të mirë, në qafë kshu, dhe u futëm brenda. U mbyll ajo darkë, ikëm secili punë të vet. Me Ligorin e Laertin ikim sërisht te hoteli në Dardhë. Unë kat dytë, Ligori poshtë meje, si ato krevatet e fëmijëve, Laerti në krevat dopio. Më thotë Laerti do bëjmë një punë? Aty hapet nuhabeti i vrasjes së Çajup Selimit, në Tepelenë. Se prisja, nga momenti i parë isha në presion, më tërhiqte në një cep, se di si ia arrinte. Zërin e gojës se nxirrnim kur fliste ai, rrinin pinc para tij. Do ta bësh më thotë mua? S’ma tha emrin atë natë. Emrin e mësova pasi u bë puna. Do i bësh nderë një njeriut tonë më thotë. U shtanga. Unë do e bëja Ligori do më ndihmonte, më tha ç’ke më ke mua nga mbrapa. E pranoj, ju e dini thash, në mendjen time e mendoja momentin që ikja nga aty. Ai atë donte “po”-në. Unë gjithmonë në terror, frikë. Mbaron ajo natë, të nesërmen, ikim për Lushnje. Më tha atë natë Laerti do e bëjmë për nder jep 50 mijë euro, unë 25 Ligori 25. Isha në Vlorë me të shpis me kalamajt me makinë me qera. Më merr Lulzimi, po kthehesha në Fier nga Vlora. Tha nxito për në Lushnje. E takoj në Lushnje. Nxitojmë më thotë, se na pret një shok, se për ça na donte në Elbasan. Iki vetë i them nëse duhet, ça do bësh ti. Tre herë kam ikur në atë vend, dy herë më kanë marrë çunat. Emrin e mësova në lajme pasi u krye puna. Laerti më tha se do bëhej ajo puna në Tepelenë. Erdhi e dashura e Laertit me gjithë shoqen e vet, do shkoja unë me Ligorin mgjes të nesërmen. Merrnim makinën e gocave që Ligori të më tregonte ku ishte kush ishte si ishte. Mua mi thonin në momentin e fundit. Unë dija se po iknim me pushime, përfundonim në vrasje. Nderi do i bëhej mikut të Laertit që jetonte Greqi. Viktima kishte një dyqan. Ma tregon Ligori nga larg që ky është. Vajtëm deri te shpia larg më tregoi rrugën dhe shtëpinë e Çajup Selimit. U kthyem prap në Sarandë, takojmë Laertin, gocat marrin makinën”- tha në dëshminë e tij Tafani.
Ai tha se e qëlloi tre herë me armë zjarri Selimin dhe më pas armën e krimit e hodhi në lumin e Vjosës, pranë qytetit të Memaliajt.
“Pasi arrita te pallati ku banonte Çajupi, qëndrova pranë hyrjes. Dëgjova një makinë që më dukej si ajo që përdorte ai – një Benz. Ishim ballë për ballë. Unë mbaja maskë COVID-i dhe një kapele. Ai më pa me dyshim.
U fut në hyrje dhe nisi të ngjitej, te kati i parë, pastaj të dytin. Unë e ndoqa nga pas. Ishte tullac dhe e njihja mirë, madje edhe çfarë kishte veshur atë ditë – një bluzë të kuqe. E qëllova nga pas, tre herë. Një herë në shpatull dhe dy herë të tjera – nuk jam i sigurt ku e kapën plumbat.
Më pas u largova me vrap në drejtim të Burgut të Bënçës. Rrugës rashë në ca ferra, jashtë qytetit. Armën e kisha ende me vete – një Beretta e vogël, me silenciator. Po përpiqesha të gjeja rrugicën që më nxirrte në lumin Vjosë, aty ku sipas planit do më priste Ligori.”