Policia ka zbuluar detaje nga gjetja e një arsenali armësh në Nikël, në një banesë në pronësi të Ylli Zallës, i cili është shpallur në kërkim.
Në banesë u gjetën municione të ndryshme si armë automatikë, mitroloz, granata dore, fishekë dhe tritol, si dhe një sasi prej më shumë se 2 kg kanabis.
Policia dyshon se Ylli Zalla është personi që iu ka siguruar armët atentatorëve të Rinasit, pasi mjeti ka dalë nga banesa e tij. Në atentatin e ndodhur pak ditë më parë mbeti i vdekur në vend Gilmando Dani, ndërsa u plagos rëndë Muçi sheqeri.
Autorët e pritën makinën e viktimës te rrethrrotullimi i Rinasit dhe më pas qëlluan me breshëri kallashnikovi në një zonë ku kishte edhe kalimtarë, por fatmirësisht nuk pati të lënduar të tjerë.
Më pas ata u larguan drejt Fushë-Krujës dhe dogjën makinën në fshatin Halil. Gilmando Dani ishte një person i njohur për policinë, pasi njihej si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, ndërkohë që vetëm 2 vite më parë kishte lënë qelinë.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Zhvillohet operacioni policor i koduar “Tracking”, nga specialistët e Sektorit të Krimeve të Rënda të DVP Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë.
Operacioni, ende në vijim në rrethin Krujë, në kuadër të punës intensive hetimore dhe operacionale, me objektiv zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të ngjarjes së datës 12.11.2025, te rrethrrotullimi i Rinasit.
Zbulohet një banesë në fshatin Zall, Fushë Krujë, ku mbahej arsenal armësh shpërthyese, armësh zjarri dhe municioni.
Gjatë kontrolleve, u gjetën në këtë banesë:
-3 kallëpë tritol;
-12 granata dore sulmuese;
-sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë(mina);
-3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë;
-4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehra dhe pjesë armësh;
-6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm;
-2 kg e 25 gramë Cannabis.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim pronari i banesës, shtetasi Y. Z., 48 vjeç.
Punohet intensivisht për kapjen e tij, si dhe po hetohet me qëllim zbardhjen e lidhjes së mundshme që mund të ketë 48-vjeçari, me ngjarjen e ndodhur te rrethrrotulli i Rinasit.
Operacioni policor i koduar “Tracking”, vijon.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.