Pas gjashtë vitesh ndjekjeje, policia çeke më në fund ka arrestuar një shofer “fantazmë” që habiti vendin duke ngarë një makinë të tipit Formula në rrugët e qytetit.
Rasti u raportua për herë të parë në vitin 2019, kur në rrjetet sociale u shfaqën pamje të një makine garash të kuqe, e ngjashme me ato të Formula 1, duke lëvizur me shpejtësi në autostradën që lidh Pragën me rajonin e Bohemisë së Jugut.
Për vite me radhë, policia nuk arriti ta identifikonte shoferin, pasi ai fshihte fytyrën me helmetë dhe makina nuk kishte targa. Por ndjekja përfundoi të dielën, pasi qytetarët njoftuan autoritetet se e kishin parë makinën pranë një karburanti.
Vetëm 15 minuta më vonë, falë ndërhyrjes së disa patrullave dhe një helikopteri, policia arriti të ndalojë shoferin, një burrë 51 vjeç, i cili fillimisht refuzoi të zbresë nga makina, por më pas u dorëzua.
Sipas autoriteteve, makina që fillimisht u përshkrua si Ferrari por më vonë u identifikua nga komentuesit online si një Dallara GP, është e paligjshme për përdorim në rrugë, pasi nuk plotëson kërkesat teknike të sigurisë si drita, sinjalizues, pasqyra dhe targa.
Sipas ligjit çek, drejtimi i një mjeti të tillë sjell një gjobë nga 5,000 deri në 10,000 koruna çeke (240–480 dollarë amerikanë) dhe pezullim të lejes së drejtimit nga 6 muaj deri në 1 vit.