Arrestohet në Greqi bashkëpunëtori i Laert Haxhiut, në kërkim ndërkombëtar për vrasje

Është arrestuar në Greqi 51-vjeçari Ardian Ahmetaj, i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Besnik Hidës, ngjarje e ndodhur 6 vite më parë.

Policia e Shtetit bën me dije se arrestimi i 51 vjeçarit me rrezikshmëri të lartë shoqërore u bë në bashkëpunim me autoritetet greke.

Ahmetaj dyshohet se në vitin 2019 në bashkëpunim me shtetasit Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Besmir Hida.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Athinën, me qëllim ekstradimin e ketij shtetasi në Shqipëri.

“Finalizohet një tjetër fazë e operacionit policor ndërkombëtar “The Ëanted”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kapet në Greqi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pjesëtar i një grupi kriminal.

Strukturat e Policisë së Shtetit kanë siguruar informacion për një shtetas të kërkuar që fshihej në Greqi dhe menjëherë, nëpërmjet Interpol Tiranës, kanë bashkëpunuar me homologët grekë për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e personit me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve në kohë reale mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe homologëve grekë, në Pire, Greqi, në kuadër të operacionit “The Ëanted”, u lokalizua, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimi shtetasi A. A., 51 vjeç.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Fierit, në vitin 2023, ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.

Ky shtetas, dyshohet se në vitin 2019, në Lushnjë, në bashkëpunim me shtetasit L. H. dhe O. B., kanë vrarë me armë zjarri shtetasin B. H. Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Athinën, me qëllim ekstradimin e ketij shtetasi në Shqipëri”, njofton Policia.