Arrestimet në Sarandë për hotelin luksoz të ish drejtorit të Aluiznit, bleu një godinë ekzistuese dhe e shndërroi nga fillimi

 Zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Agjensisë Kombëtare të Kadastrës dhe bashkisë së Sarandës janë arrestuar pasi dyshohet të kenë favorizuar ndërtimin e një hoteli 7-katësh pranë vijës bregdetare.

Hoteli në fjalë, rezulton në pronësi të ish-drejtorit të Aluiznit Sarandë, Mariel Murati.

Kësaj ndërtese është vendosur tritol dy herë,  në 9 shkurt 2021 dhe 29 qershor 2022, por këto ngjarje nuk janë zbardhur ende.

Mësohet se Murati kishte marrë leje për rikonstruksionin e një objekti ekzistues të blerë nga ana e tij, por e kishte rrënuar të gjithin duke e ndërtuar pa leje nga fillimi e duke shtuar më shume kate se sa ekzistuesi. Pas kësaj ai ka arritur ta legalizojë objektin pa leje, hotel i cili është vendosur dhe funksionon si i tillë prej rreth 2 vitesh. Të gjitha këto veprime kanë ndodhur pasi ai e kishte lënë detyrën e drejtuesit të Aluiznit Sarandë dhe ishte emëruar në një detyrë tjetër drejtuese.

Urdhër arresttet janë lëshuar ndaj zyrtarëve që kanë lejuar ndërtimin e këtij hoteli dhe funksionimin e tij.

3 personat e shpallur në kërkim janë Mariel Murati, pronar i hotelit e njëkohësisht ish-Drejtor i Aluiznit Sarandë, aktualisht drejtor i FSDKSH Sarandë, Kozeta Statha, ish-Drejtore e ASHK Sarandë dhe Andri Dhima, ish-Drejtor i ASHK Sarandë.

Nga 11 personat për te cilët është lëshuar urdhër arresti, Dhima, Statha dhe Balili rezultojnë me masa sigurimi aktive edhe për cështje të tjera penale.

Mësohet se në qeli aktualisht ndodhen vetëm 6 prej të arrestuarve, pasi Ina Papa dhe Manushaqe Saliko janë lënë mbrëmë vonë të lira, në masë të lehtë sigurimi për shkak se rezultojnë nëna të reja me foshnje të mitura.