Arratisja ‘spektakolare’ e shqiptarit nga burgu italian, Porti i Durrësit merr masa të rrepta sigurie

Një 40 vjeçar shqiptar është arratisur dje në mënyrë spektakolare nga burgu i Teramos në Abruzo, Itali.

Roland Dedja me origjinë nga Durrësi, i dënuar për vrasjen e të fortit të Vlorës, Shpëtim Çupës ka mundur të arratiset ditën e hënë, për herë të dytë nga një burg Italian. Edhe në vitin 2010 është arratisur nga burgu i Pisas, së bashku me një tjetër shqiptar.

Ndërkohë që policia italiane po vijon kërkimet, janë marrë masa të rrepta sigurie dhe në Portin e Durrësit pas dyshohet se Dedja do të kthehet në Shqipëri. Autoritetet shqiptare janë lajmëruar nga homologët italiane për dyshimet që kanë lidhur me kthimin e Dedjës në Shqipëri. Për këtë arsye, në Portin e Durrësit janë shtuar masat e sigurisë si dhe thuhet se vëmendja është maksimale.

Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, 40-vjeçari është ndihmuar nga një dron i jashtëm.

Në deklaratën e policisë thuhet se “Dyshohet se i burgosuri është arratisur falë ndihmës së një droni të jashtëm, i cili i ka siguruar mjetet e nevojshme për t’u larguar nga burgu i Teramos. Për momentin janë duke u ekzaminuar regjistrimet e të gjitha kamerave të IEVP Teramo për të kuptuar dinamikën e saktë të arratisjes së kryer nga i burgosuri shqiptar”.

Ngjarja ka shkaktuar reagime në Itali, ku shumë prej tyre, përfshirë dhe mediat e kanë cilësuar ngjarjen si ‘aksion i denjë për një film amerikan’.