Edi Rama dhe Ramush Haradinaj nuk kanë patur marrëdhënia të mira me njëri-tjetrin, madje kanë shkuar deri në gjyq për shpifje, por mesa duket “armiqësia” me Albin Kurtin i ka bërë të dy bashkë dhe ka lënë mënjanë hatërmbetjet e vjetra.
Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka vizituar sot Tiranën, ku është pritur nga kryeminbistri Edi Rama. Në një postim në rrjetet sociale, ai shkruan se bisedouan për zhvillimet që po kalon Kosova, Shqipëria dhe rajoni dhe për proceset që na presin, veçanërisht për sfidat e Kosovës në çështjet që kanë të bëjnë me dialogun, sigurinë dhe perspektivën e integrimeve euro-atlantike.
Haradinaj thotë se e ka falënderuar Ramën për kujdesin që ka treguar ndaj Kosovës, pavarësisht se në Kosovë dhe Shqipëri kryeministri Rama akuzohet se po bën deklarata kundër Kosovës.
“Sot në Tiranë një takim vëllazëror me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Diskutuam për zhvillimet që po kalon Kosova, Shqipëria dhe rajoni dhe për proceset që na presin, veçanërisht për sfidat e Kosovës në çështjet që kanë të bëjnë me dialogun, sigurinë dhe perspektivën e integrimeve euro-atlantike.
I kërkova kryeministrit shqiptar që në të gjitha nivelet e bisedave me faktorin ndërkombëtar e kombëtar të ndihmojë në tejkalimin e sfidave që i ka Kosova dhe të përshpejtojë integrimin e saj.
E falënderova përzemërsisht për kujdesin e tij dhe të Shqipërisë në këtë periudhë jo të lehtë që po kalon Kosova”, shkruan Haradinaj.
Ndoshta, shprehja “Armiku i armikut tim, është miku im”, i shkon për shtat edhe këtij takimi mes dy ish-“armiqëve”, që tashmë janë bërë miq të mirë.