Armëpushim i menjëhershëm në Suvejda, presidenca siriane ndërhyn pas përplasjeve të përgjakshme

Autoritetet siriane kanë shpallur një armëpushim të menjëhershëm në qytetin jugor të Suvejdas, pas një jave përplasjesh sektare të përgjakshme mes komuniteteve lokale, që kanë lënë qindra të vrarë.

Përplasjet nisën mes grupeve të armatosura druzi dhe fiset beduine, por më pas situata degjeneroi, duke përfshirë edhe forcat qeveritare të sigurisë, të cilat u dërguan në zonë për të rikthyer rendin. Pamjet nga vendngjarja tregojnë skena të rënda dhune dhe trupa të pajetë në rrugë, ndërsa të dyja palët janë akuzuar për mizori dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, në një deklaratë zyrtare theksoi se vendi ka nevojë për unitet dhe bashkëpunim për të kapërcyer këtë krizë të thellë, ndërsa premtoi se të gjithë përgjegjësit për dhunën do të përballen me drejtësinë, pavarësisht përkatësisë së tyre.

Ndërkohë, armëpushimi është shpallur paralelisht me vendosjen e forcave të sigurisë në Suvejda, një lëvizje që ka marrë edhe miratimin e Izraelit, me kushtin që të sigurohet mbrojtja e komunitetit druzi.

Izraeli ndërhyri ushtarakisht në konflikt në fillim të javës, duke goditur objektiva qeveritare në Damask, përfshirë edhe ndërtesën e Ministrisë së Mbrojtjes, në shenjë mbështetjeje për komunitetin druzi, një grup minoritar që ndjek një besim të veçantë me rrënjë në Islamin Shiit dhe që tradicionalisht ka një marrëdhënie të tensionuar me qeverinë siriane.

Sipas të dhënave të Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Britani, që nga shpërthimi i dhunës të dielën janë vrarë 718 persona.

Zhvillimet kanë tërhequr edhe vëmendjen e ndërkombëtarëve. Ambasadori amerikan në Turqi, Tom Barrack, ka bërë të ditur se marrëveshja për armëpushim mes Sirisë dhe Izraelit është mbështetur nga vende fqinje si Turqia dhe Jordania. Ai u bëri thirrje të gjitha palëve – druzëve, beduinëve dhe sunive – të ndalojnë dhunën dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një identiteti të ri sirian, të bashkuar dhe paqësor.

Nga ana tjetër, Kombet e Bashkuara kanë raportuar për shkelje të shumta të të drejtave të njeriut gjatë përplasjeve në Suvejda, përfshirë ekzekutime pa gjyq dhe vrasje arbitrare, në të cilat dyshohet se janë përfshirë edhe forcat e sigurisë dhe elementë të lidhur me qeverinë e përkohshme, si dhe grupime të armatosura lokale.