Diplomati grek dhe mungesa e shtetit
Raporti i shtetit tonë me Greqinë kapsulohet më së miri nga një diplomat grek që ka 40 vite në Shqipëri dhe që edhe pse iu dha, pa e kërkuar, shtetësia shqiptare, vijon të veprojë me pasaportën diplomatike greke.
Keqpërdoruesi i fronit të Nolit, Xhuvanit dhe Kisit, nuk mund të rrinte pa ndërhyrë edhe këtë herë në çështje politike, duke takuar në burg bashkëluftëtarin e tij në betejën e greqizimit të Himarës. Sepse, atë që Bollano e Beleri nuk e kanë bërë dot, mbajtësi i pasaportës diplomatike greke ka 40 vjet që e bën çdo ditë dhe nuk i hyn gjëmbë në këmbë. Në Vunoin e Qeparoin që kurdoherë kanë qenë shqipfolës, si dhe në Himarën e Dhërmiun e ëndrrave të nacionalizmit grek, tabelat në muret e jashtme të institucioneve të tij nuk janë shqip, madje nuk janë as dygjuhëshe, janë në gjuhën që ka imponuar edhe në meshimin brenda, edhe pse banorët e shumicës së atyre fshatrave nuk e flasin, në greqisht.
Shqipëria ka një traditë fantastike të rrënjosur që prej viteve ‘20 të politikave të pakicave dhe të feve, që me zgjuarsinë e herë-herë injorancës së pseudoekspertëve që prodhojmë me bollëk por që asesi s’ia kanë haberin mbi teorinë e praktikën e kësaj lëme të ngushtë shkencore e praktike e herë-herë blerjes së drejtpërdrejtë të kamufluar me tamtame pseudopatriotike a pseudoliberale, çdo herë e më shumë është shtrembëruar në zonat e fluiditetit identitar të Himarës, Mursisë a disa rrethinave të Korçës.
Zgjidhje ka, nuk janë nga ato me thikë e as ekstreme që nacionalistët shqiptarë do të donin, por as të pamundura siç padituria e fatalistëve që bëjnë sikur dinë gjithçka, por s’dinë vetëm thelbin e kësaj fushe, na rrëfen. Thjesht duhen politika reale e të mirëfillta të reja, në përputhje me frymën e asaj që drejtuesit politikë e mendimtarë të këtij vendi ia kanë dalë 100 vite të shkuara, e të përshtatura me parimet ndërkombëtare të botës bashkëkohore.
Aq sa mbajtësit e pasaportave diplomatike greke bëjnë ligjin pasi nuk u është normuar nga një vend demokratik fushëveprimi i tyre, pyetja mbetet vetëm nëse do të ketë ky vend ndonjëherë njerëz që do të përpiqen të mos tregohen gjithçkashitës, gjithçkaditës apo edhe thjesht amatorë në çështjet delikate të pakicave dhe feve. Nuk kam shumë shpresa.