Arben Ahmetaj e paralajmëroi, si Damian Gjiknuri tentoi të normalizonte thirrjen në SPAK

Ish-ministri Arben Ahmetaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK si i përfshirë në aferën e inceneratorëve, në një intervistë të 1 muaji më parë paralajmëroi se kryeministri kishte goditur dhe do të vijonte të godiste të tjerë socialistë që kishin dalë kundër Ramës dhe në mbrojtje të Ahmetajt. Një prej tyre ishte edhe Damian Gjiknuri.

“Damian Gjiknuri, një nga arsyet se pse nuk është Sekretar i Përgjithshëm është se i ka thënë Edi Ramës, që ajo që po ndodh me Ahmetaj është shkelje proceduriale nga ana e SPAK, së dyti është e gabuar. Kjo është arsye se pse ka ikur nga Sekretari i Përgjithshëm” tha Ahmetaj.

Ditën e djeshme, Damian Gjiknuri u rikthye sërish në SPAK, ku qëndroi për më shumë se 6 orë përpara prokurorëve të posaçëm, për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre. Pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, përpara gazetarëve ai tentoi ta normalizonte thirrjen në SPAK, duke e bërë sikur të ishte diçka e zakonshme.

Ju lutem, nuk kam shumë për të deklaruar. Është mëse normale që të japësh shpjegime për ngjarje që ke mësuar gjatë punës që ke kryer. Tani, ju lutem shumë”, u shpreh Gjiknuri.

Të thirresh në SPAK nuk është aspak normale, sidomos për një ish-ministër, emri i të cilit ka dalë edhe në dosjen e inceneratorëve për udhëtimet me Arben Ahmetajn, të paguara nga Klodian Zoto. Gjiknuri është paraqitur edhe më herët në SPAK për t’u pyetur në lidhje me kallëzimin e tijpër fondet e rrugës Tiranë – Elbasan, por qëndrimi 6 orë në SPAK ngre shumë dyshime.

Ish-ministri i Energjitikës është përfolur edhe në dosjen e Charles McGonigal, pasi sipas dosjes së Prokurorisë amerikane, ish-agjenti i FBI-së me kërkesë të personit A, që dyshohet të jetë Agron Neza, nga i cili ka marrë 225 mijë dollarë, e ka paralajmëruar Edi Ramën që të mos japë licenca për shpimin e fushave të naftës në Shqipëri për kompanitë ruse. Në dosje thuhet se Personi A dhe ministri i Energjitikës kishin interes financiar në vendimet e qeverisë për dhënien e licencave.

Ministri i Energjitikës në atë kohë ishte Damian Gjiknuri, ndaj edhe SPAK po heton në rast se Gjiknuri është i përfshirë në këtë dosje. Para pak vitesh një nga personat më të fuqishëm të qeverisë dhe Partisë Socialiste, sot Gjiknuri është “zhveshur” nga Rama nga të gjitha postet drejtuese.

Paralajmërimi i Ahmetajt ishte i qartë, por a e ka lëshuar Rama – Gjiknurin në “gojën” e drejtësisë?