Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj për sekuestron e pasurive, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.
Ahmetajt i janë sekuestruar gjithsej 6 pasuri për llogari të hetimit të nisur ndaj tij për akuzat e “korrupsionit”, “fshehjes dhe mosdeklarim të pasurisë” dhe “pastrim të parave”. Mes katër pasurive të paluajtshme të sekuestruara janë një vile në bregdetin e Palasës dhe një vilë në Hamallaj.
Më herët, Ahmetaj kishte kërkuar të shfuqizonte masën e sekuestros të vendosur mbi një llogari bankare në emër të tij. Kërkesa u shqyrtua nga gjyqtari Erjon Bani, i cili vendosi rrëzimin e saj si të pa bazuar në ligj dhe në prova.
Prej muajsh Arben Ahmetaj ndodhet në arrati, për shkak se GJKKO ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi ai akuzohet si një nga aktorët kryesorë të aferës së inceneratorëve. Por SPAK e akuzon Ahmetajn edhe për privatizimin e ish-fabrikës së Bukës, privatizim që i ka sjellë shtetit 7 miliardë lekë dëm.
Ai ka reaguar disa herë nëpërmjet rrjeteve sociale, teksa SSPAK ka kërkuar ndihmën e kompanisë “Meta” për të gjetur vendndodhjen e tij.