Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë seancën ndaj kryebashkiakut te Durrësit, Vangjush Dako pasi mungonte një prej te pandehurve.
Për shkak të mungesës së Adrian Bulkut, seanca e radhës do të mbahet më datë 1 korrik në orën 10:30.
Bulku njoftoi gjykatën se nuk mund të marrë pjesë sot në seancë dhe kërkoi caktimin e një date të re, duke shprehur dëshirën për të qenë i pranishëm. Ndërkohë Dako nuk i pranishëm, por u përfaqësua nga avokati i tij.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit vijon të jetë nën masën e arrestit në shtëpi, ndërsa në shkallën e parë të gjykimit është shpallur fajtor për shpërdorim detyre në dy raste, duke u dënuar me 2 vite e 8 muaj burg.
Vangjush Dako akuzohet për “shpërdorim detyre”, në dy raste.
Njëri prej rasteve ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015.
Sipas hetimeve, ndërtimi i saj i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh.