Apeli i GJKKO ka prishur vendimin e ish-Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda për disa të akuzuar si pjesë e grupit të Lazaratit ku 11 vite më parë kundërshtuan me armë forcat e RENEA-s dhe për pasojë mbeti i vrarë efektivi Ibrahim Basha.
Gjykata ka dënuar përfundimisht me 10 vite burg Arbjon Alikon ndërsa Gurgaz dhe Enrik Skënderin me nga 8 vite burg, të cilët më herët ishin dënuar respektivisht me 13, 11 dhe 10 vite burg. Alfred Proko është dënuar me 4.9 vite burg, i cili më herët ishte dënuar me 10 vite burg në mungesë.
Apeli i Posaçëm prishi edhe vendimin e ish-Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda për shtetasin Beqo Brahimi që ishte dënuar me 8 vite burg për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr” duke vendosur pushimin e çështjes ndaj tij për këto akuza, për shkak se me vendim gjyqësor të formës së prerë është dënuar për të njëjtat vepra penale.
Në dhjetor të 2024, Gjykata e Lartë ktheu për rigjykim dosjen ndaj Arbjon Alikos, Alfred Prokos, Beqo Brahimajt, Gurgaz dhe Enrik Skënderit.
Ata ishin dënuar në total me 52 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, nga 57 që kërkoi Prokuroria, vendim që u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit.
Kujtojmë se njëri nga të dënuarit Arbjon Aliko është i dënuar edhe me burgim të përjetshëm për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha.