Apeli i Posaçëm do të vendosë nesër në orën 11:00 mbi ankimimin e Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit për shuarjen e masave të sigurisë të vendosura nga GJKKO ndaj tyre.
Seanca që filloi sot në orën 09:00 dhe vijoi për rreth 7 orë nuk mjaftoi që gjyqtarja Iliriana Olldashi të merret vendimin, ndaj u shty për nesër.
Sipas avokatit Genc Gjokutaj, materiali i paraqitur nga avokatët e të pandehurve ishte voluminoz, ndaj gjykata e kishte të pamundur të merrte sot një vendim. Ai u shpreh se kanë paraqitur të gjitha argumentat që masat e sigurisë nuk qëndrojnë, teksa e quajti farsë këtë proces.
“Ne kemi që në orën 9, në mënyrë shteruese kemi paraqitur gjithë argumentet që masat nuk qëndrojnë dhe çështja është një farsë… gjykata ishte në pamundësi për të dhënë vendimi pasi materiali është voluminoz dhe seanca u shty për nesër në orën 11”, tha ai.
Njoftimi i gjykatës:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 20.11.2023, ora 09:00, lidhur me çështjen penale nr. 56 akti, datë 14.11.2023 regjistrimi, mbi ankimin e personave nën hetim S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, pasi dëgjoi palët, i dha fund shqyrtimit gjyqësor po në datë 20.11.2023, ora 16:00, dhe urdhëroi shtyrjen e shpalljes së vendimit në datë 21.11.2023, ora 11:00.