Anuela Ristani paditet në SPAK për “shpërdorim detyre” dhe “shpifje”

Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani është paditur në SPAK për shpërdorim detyre dhe shpifje.

Ka qenë emisioni investigativ “Piranjat” që ka ngritur padi ndaj Ristanit. Pak ditë më pare emisioni investigativ faktoi se bashkëshorti i Ristanit, lëvizte me makinën e Bashkisë Tiranë për të shkuar në punë në Presidencë.

Ristani e kapur ngushtë nga ky fakt, hodhi akuza ndaj ‘Piranjave’ duke i quajtur si “përndjekës”, “shantazhues” dhe “gjobaxhi”.

“Kallëzimi për shpërdorim detyre sigurisht që është detyrim ndaj interesit publik të cilin zonja kryetare duhet të përfaqësojë, ndërsa ai për shpifje lidhet me etiketimet e saj ndaj Piranjave si “përndjekëse”, “shantazhuese” dhe “gjobaxhie”.

Është detyrim i yni profesional t’u shkojmë deri në fund këtyre akuzave për të nxjerrë të vërtetën, për të vërtetuar para publikut se çfarë fshihet pas tyre, viktimizimi i një politikaneje apo përpjekja për t’i mbyllur gojën medias investigative”- thuhet në faqen zyrtare të emisionit “Piranjat”.