Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani ka shkarkuar nga detyra zyrtarë dhe punonjës të bashkisë, të afërt me Erion Veliajn.
Burime për mediat bëjnë me dije se me urdhër të Ristanit janë larguar nga puna drejtori i Protokollit dhe drejtoresha e Shërbimeve Mbështetëse si dhe disa punonjës, përfshirë shoferë, sekretare dhe staf mbështetës. Disa prej tyre e kanë shërbyer në bashki për më shumë se një dekadë.
Ristani e cila u caktua në krye të bashkisë me “bekimin” e kryeministrit Rama, pas arrestimit të Erion Veliajt shkarkoi para disa muajve, Sekretarin e Pergjithshëm të Bashkisë Alban Dokushin dhe nënkryetaren Sara Goxhaj. Këto dy shkarkime erdhën pas përplasjeve që ndodhën në Bashki ku Veliaj ia delegoi detyrën e tij Sara Goxhajt, duke shkarkuar Ristanin, e cila ishte zgjedhur për të drejtuar Bashkinë fill pas arrestimit të kryebashkiakut me urdhër të SPAK.
Por më pas Veliaj u tërhoq dhe ia delegoi sërish detyrën Ristanit.