Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 ishte i papritur për pothuajse të gjithë qytetarët, përveç kryeministrit Edi Rama, i cili goditi në shenjë në parashikimin e tij në “Memorandumin 2 të Kuçit”.
Skandalet e njëpasnjëshme të qeverisë kishin krijuar bindjen se mazhoranca do ta kishte të vështirë të kalonte 70 mandatet, duke patur parasysh dhe rritjen e shpejtë që patën partitë e reja.
Por, askush nuk e dinte se këtë herë, si kurrë më parë, administrata shtetërore do të përfshihej masivisht në zgjedhje, kjo për shkak se listat e Partisë Socialiste ishin të mbushura me drejtorë të rëndësishëm.
Këta drejtorë, siç kanë treguar shumë denoncime në media, detyruan punonjësit e tyre që jo vetëm t’u jepnin votën, por edhe të siguronin votat e të afërmve të tyre, brenda dhe jashtë vendit, duke u marrë të dhënat personale.
Administrata mori pjesë masivisht në fushatën elektorale, duke u detyruar të shkojë në çdo tubim të organizuar nga partia në pushtet, ndërkohë që edhe pjesëmarrja në votim ishte e detyruar, pasi çdo emër që nuk shkonte të votonte mbahej shënim nga patronazhistët.
Kjo metodë dha rezultat, drejtorët e vendosur në listat e hapura nga Rama dolën kandidatët më të votuar në gjithë Shqipërinë, duke thyer edhe rekorde votash të politikanëve që kanë qenë nga më aktivët në Parlament prej vitesh.
Në Fier, Belinda Balluku arriti një rezultat historik me 12 mandate, teksa në listat e kandidatëve mori ish-drejtorët e saj, Ceno Klosin, e Klevis Jahajn.
I pari, Ceno Klosi, ish-drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, tashmë zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës, doli edhe kandidati më i votuar me 19290 vota, nga të cilat 16638 brenda vendit dhe 2652 nga Diaspora.
Burime për Media Ditarin tregojnë se të gjithë drejtorët e Fierit u detyruan të punojnë për të siguruar vota për Klosin, teksa mosbindja u ndëshkua, siç ishte rasti i një drejtori të OSHEE-së, që u detyrua të japë dorëheqjen.
Edhe Klevis Jahaj, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, arriti të grumbullojë 15680 vota, nga të cilat 12696 në Shqipëri dhe 2984 nga Diaspora, duke siguruar mandatin e deputetit.
Sërish në Fier, Elton Korreshi , ish-drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Lushnjë, mori mandatin e deputetit falë 7243 votave personale, nga të cilat 5966 brenda vendit dhe 1277 nga zarfat e emigrantëve.
Në Durrës, një tjetër drejtor i Belinda Ballukut arriti të marrë mandatin e deputetit. Bëhet fjalë për Ani Dyrmishin, Drejtor i Përgjithshëm i Hekurudhave Shqiptare, pavarësisht se ne nuk kemi hekurudhë, por kjo ka pak rëndësi sepse dihet si bëhen gjërat në këtë vend.
Dyrmishi mori 13716 vota personale, duke qenë një nga kandidatët më të votuar të qarkut, pas Arkend Ballës.
Etleva Budini, Drejtore e Filialit Durrës të Postës Shqiptare, siguroi mandarin e deputetit falë 4910 votave personale, duke lënë pa mandat Ilir Ndraxhin dhe Gentian Hilën, edhe pse më të votuar se ajo, por mandati i kaloi Budinit për shkak të kuotës gjinore.
Sara Mila ishte edhe surpriza e madhe e këtyre zgjedhjeve, për shkak se mori 19845 vota personale në Elbasan, një shifër që as vetë nuk e kishte menduar. Ajo ka drejtuar më herët Shërbimin Social Shtetëror në Elbasan, ndaj është një tjetër drejtoreshë që merr mandatin në Partinë Socialiste.
Indrit Gjoka, drejtor i Portit Durrës dhe Arian Jaupllari, Drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme Rregullatore dhe të Përputhshmërisë në Bujqësi, Ushqim dhe Zhvillim Rural, nuk arritën të merrnin mandatin e deputetit për shkak të kuotave gjinore, pavarësisht se ishin shumë të votuar, respektivisht me 3567 dhe 8461 vota.
Numri i madh i votave të marra nga secili drejtor tregon më së miri se si administrata shtetërore u përfshi masivisht në zgjedhje, teksa raportet e ndërkombëtarëve që denonconin këtë fenomen u injoruan nga mazhoranca.