Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në një deklaratë për mediat, ka folur sot në lidhje me votimin e draftit të Amnistisë Penale, që kërkon 84 vota në Kuvend. Manja u shpreh se do bashkëpunojnë me çdo deputetet që ka lexuar ligjin.
Ndërkohë shtoi se ligji do të futet ne rendin e ditës vetëm kur të jenë prezent edhe deputetët e opozitës.
Por Manja po ashtu tha se PS është e gatshme të ulet me opozitën në lidhje me amendamentin, që parashikon se edhe personat e dënuar nga GJKKO mund të përfitojnë ulje dënimi nga 1 deri në 1.5 vite burg, duke nënkuptuar se mund të tërhiqen.
Por si do t’i sigurojnë socialistët 84 vota për Amnistinë Penale?
Ditën e djeshme u zbulua se 4 deputetët e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), janë pro miratimit të Amnistisë Penale. Por sipas kreut të PDIU, Shpëtim Idrizit, ata nuk do të votojnë për amnisti për çështjet që kanë të bëjnë me GJKKO-në dhe SPAK.
Edhe dje Enkelejd Alibeaj, e siguroi Manjën në emër të PD zyrtare, se do jepnin votat, por për versionin fillestar të projektligjit.
Projektligji i Amnistisë Penale u hoq nga rendi i ditës në seancën e fundit në Kuvend.
Kjo pasi në mbledhjen e fundit të Komisionit të Ligjeve, përpara se ky projektligj të kalonte në Kuvend, u fut një amendament, sipas të cilit do të përfitonin ulje dënimi edhe zyrtarët e dënuar nga Gjykata e Posaçme, gjë që nuk gjeti mbështetjen e deputetëve të Bashës, të cilët më herët kishin deklaruar votën e tyre pro.
“A jemi të gatshëm ne që sigurisht të ulemi për këtë amendamentin. Po patjetër të ulemi. Nëse qenka hataja pse do përfitojë 1 vit ulje dënimi le të themi 3 ish-punonjës policie të dënuar për shpërdorim detyrë në Kukës, patjetër tërhiqemi ne s’është problem. Qëllimi ynë është të miratohet kjo amnisti, për arsyet që thashë, pse jo edhe për shkak të një mbipopullimi që kemi. Amnisti kur është arritur qëllimi i dënimit, pse jo Parlamenti duhet të ketë çdo vit”, tha Manja.