Kryeministri Edi Rama ka përmendur raportin me opozitën, gjatë konferencës së përbashkët me ambasadorin e Delegacionit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili i ka dorëzuar progress raportin e Komisionit Europian për ecurinë e negociatave me Shqipërinë.
Gonzato i ka kërkuar gjithëpërfshirje edhe të opozitës. Kryeministri Rama është shprehur i gatshëm të ulet në diskutime me opozitën, por sipas tij “dialogu të bëhet përmes gjuhës dhe jo këmbëve e muskujve”. Ai përmendi edhe kohën kur ishte vetë në opozitë dhe tha se atëherë problemi ishte se qeveria nuk pranonte të fliste me opozitën.
“Kur ne kemi qenë në opozitë, problemi ka qenë që qeveria nuk pranonte të fliste me ne. Kemi dërguar letra për të kërkuar të flasim, s’kemi marrë përgjige. Kemi kërkuar të bashkëpunojmë, s’kemi marrë përgjigje. Ndërkohë nga dita e parë deri sot, deri kur unë të jem në detyrë, asnjëherë nuk do jetë problem për t’u ulur dhe diskutuar. Diskutimet bëhen përmes gjuhës, jo përmes krahëve, këmbëve, gjokseve dhe muskujve. Kjo është e thjeshtë. Unë e vlerësoj maksimalisht raportin e progresit. Është i vetmi që lexoj nga fillimi në fund nga raportet ndërkombëtare. Është një raport i bazuar vetëm në fakte. Nuk ka opinione as perceptime, pyesim 300 veta si është Shqipëri e ndershme apo e korruptuar dhe na del Shqipëria është e korruptuar. Raporti është i bazuar vetëm në fakte”, tha Rama.
Sipas Ramës, zgjedhja për të vrarë veten politikisht është legjitime nuk ndalohet dot.
“Kur duhet të vallëzosh duhen dy vetë dhe nuk hidhet vallja nëse të dy nuk duan ta hedhin vallen. Kush është për dialog sot është shumë e thjeshtë, kush është i gatshëm të flasë. Kush nuk është për dialog është shumë e thjeshtë.
Nëse nuk ka gatishmëri nga të dyja anët për të folur s’ka dialog. Është vetëpërjashtim absolut pa asnjë bazë faktike të lidhur me qasjen dhe qëndrimet tona. Është zgjedhja e tyre legjitime, dhe zgjedhja për të vrarë veten politikisht është legjitime nuk ndalohet dot”, deklaroi Rama.
Ndërsa Gonzato u shpreh:
“E dua muzikën por nuk mendoj se jam dirigjent i mirë. Më mirë rri në auditor. Do të keni dëgjuar që kam theksuar se duke pasur parasysh reformat që duhen ndërmarrë nga Shqipëria janë ndërmarrje shoqërore për të ndryshuar mënyrën si funksionon shoqëria duhet edhe pjesëmarrja e opozitës. Jam përpjekur të mbaj të përfshirë opozitën. Ka mënyra për të shprehur mospajtimin, ndryshimin e mendimit. Shpresoj që do të gjendet një rrugë për të riangazhuar opozitën. I gatshëm të ndaj çdo informacion që më kërkohet por kërkon angazhim nga të dy palët jo vetëm nga qeveria”.